Putin zotohet se Rusia do të triumfojë në Ukrainë

Moskë, 12 prill 2022 – Presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua të martën, më 12 prill, se Rusia do të triumfojë në të gjitha qëllimet “fisnike” të luftës në Ukrainë. Ai po ashtu tha se sanksionet e Perëndimit po dështojnë që ta gjunjëzojnë ekonominë ruse.

Duke folur për luftën në Ukrainë për herë të parë pasi forcat ruse u tërhoqën nga veriu i Ukrainës, Putin tha se situata në Ukrainë është tragjedi.

Megjithatë, sipas tij, Rusia nuk ka zgjidhje tjetër pos të luftojë, pasi siç tha lideri rus, duhet të mbrojnë rusishtfolësit në lindje të Ukrainës dhe për të parandaluar këtë shtet që të bëhet një trampolinë antiruse për armiqtë e Moskës.

Gjashtëdhjetenjë vjet që prej se Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë, Putin, sipas televizionit shtetëror rus, vizitoi kozmodromin Vostochnz.

I pyetur nga punëtorët e agjencisë hapësinore ruse lidhur me luftën në Ukrainë dhe nëse Rusia do të përmbushë qëllimet e saj, Putin tha: “Absolutisht. Nuk kam asnjë dyshim”.

“Qëllimet tona janë krejtësisht të qarta dhe fisnike”, tha Putin. “Nuk ka asnjë dyshim që qëllimet do të përmbushen”.

“Veprimet e shpejta që armiqtë tanë po vazhdojnë të bëjnë nuk po funksionojnë”, tha Putin, teksa Perëndimi ka vendosur sanksione shkatërruese ndaj Rusisë, pasi Putin dha urdhër që më 24 shkurt të niste pushtimi i Ukrainës.

Putin po ashtu bëri një analogji midis fluturimit të parë në hapësirë të Gagarinit dhe situatës në të cilën gjendet sot Rusia.

“Sanksionet ishin të plota, izolimi ishte i plotë, por Bashkimi Sovjetik arriti që i pari të shkonte në hapësirë”, tha Putin.

“Ne nuk kemi për qëllim që të izolohemi”, tha presidenti rus. “Është e pamundur që ta izolosh rëndë dikë në botën moderne, veçmas një shtet të madh siç është Rusia”, shtoi ai.

(REL)