Pyetje lidhur me dokumentat për punësim të emigrantëve

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Si të marr dokumentat e autorizimit për të punuar dhe numrin e sigurimeve shoqërore (SSN) që të mund të punoj? 

Kam ardhur në NewYork kohët e fundit dhe ende nuk kam dokumenta  të ligjshëm nga Emigracioni. Ndërkohë më duhet të punoj për të mbajtur veten, por nuk dua që të thyej ligjin duke punuar në mënyrë të paligjshme. Si të marr dokumentat e autorizimit për punë? Dikush që  punon për shërbimin e emigracionit më ka thënë se  është në gjendje të më pajisë me autorizim pune, nëse hedh dokumentat për azil politik. A është e vërtetë?

Anonim

Bronx, NY

Mos aplikoni për strehim politik vetëm e vetëm që të pajiseni me leje për të punuar. Ka pasoja serioze për ata që paraqesin një aplikim për strehim politik mbi baza të rreme. Ju sugjerojmë që të tregoni kujdes kur merrni këshilla nga konsulentë të shërbimit të emigracionit që nuk janë avokatë emigracioni, sepse diçka e tillë mund t’ju hapë probleme në të ardhmen. 

Është e vërtetë që ai që paraqet dokumentat për azil mund të kualifikohet për të kërkuar autorizim punësimi (EAD), por rregullat janë shumë të qarta lidhur me kohën se kur personi mund të kualifikohet për diçka të tillë. Askush nuk duhet të paraqesë dokumentat për azil, vetëm e vetëm për të marrë lejen e punësimit. Nëse Shërbimi i Emigracionit është i mendimit se kërkesa për azil e dikujt është e pabazë, ai ose ajo mund të mos përfitojnë më asnjëherë diçka nga emigracioni. Kjo do të kishte pasoja të rënda për të ardhmen e aplikantit, në ato raste kur ai ose ajo mund të kualifikohen për green card nëpërmjet martesës apo llotarisë amerikane. Edhe në rastin kur dikush tjetër ju ka këshilluar të paraqisni informacion të rreme, përgjegjësia mbetet e juaja. 

Secili rast ka specifikat e veta dhe disa persona kualifikohen për të marrë lejen e punësimit, ndërkohë që disa të tjerë nuk kualifikohen. Kjo është frustruese si për aplikantët ashtu dhe për avokatët e tyre. Ndaj  do t’ju këshillonim që të mos nxitoheni  në dorëzimin aplikimit për azil me shpresën që do të merrni dokumentin për punë, pasi nuk është e lehtë të marrësh azil politik dhe do t’ju nevojiten prova të forta për çështjen që po paraqisni. Nëse ndodheni në një situatë të tillë, do t’ju sugjeronim të  këshilloheni me një avokat emigracioni me përvojë. 

Ka kategori të ndryshme njerëzish të cilëve u duhet EAD-ja për të provuar që mund të punojnë në SHBA në mënyrë të ligjshme. Këtu përfshihen persona që kërkojnë strehim politik, studentë që kërkojnë të punësohen në mënyra të caktuara, aplikantë për green card, njerëz, statusi i të cilëve u garanton mbrojtje të përkohshme, të fejuarit e nënshtetasve amerikanë apo familjarët që janë në varësi të zyrtarëve të huaj qeveritarë. Një listë të plotë të të gjitha kategorive të personave që mund të aplikojnë për EAD në mënyrë që të tregojnë se punojnë në mënyrë të ligjshme në SHBA, mund ta gjeni në formularin I-765 (Application for Employment Authorization). Disa kategori aplikantësh nuk kanë nevojë të paguajnë tarifat e aplikimit, ndaj ju këshillojmë të lexoni me kujdes udhëzimet në formular. Pasi të jeni pajisur me EAD, mund të paraqiteni pranë zyrave të sigurimeve shoqërore të SHBA-së për t’u pajisur me numër pune (SSN). 

Punëdhënësit amerikanë duhet të kontrollojnë dhe të sigurohen që të gjithë punonjësve të tyre, pavarësisht se ç’nënshtetësi kanë apo nga vijnë, u lejohet të punojnë në SHBA. EAD-ja shërben si provë që mund të punosh në mënyrë të ligjshme në SHBA. Ky dokument është i vlefshëm për një vit që nga data e lëshimit. Nënshtetasit amerikanë apo ata që kanë green card, nuk kanë nevojë të kenë EAD që të mund të punojnë në mënyrë të ligjshme në SHBA. Pasaporta amerikane, çertifikata e lindjes amerikane apo green card-a, mjaftojnë për të treguar që mund të punoni në mënyrë të ligjshme në SHBA. 

Jam e martuar me një nënshtetas amerikan dhe kohët e fundit kam aplikuar për green card në Newark, New Jersey. Gjithashtu, kam aplikuar njëkohësisht edhe për leje për t’u punësuar. Kur zyra e emigracionit më dërgoi me postë dokumentin e lejes për punësim, vura re që ma kishin shkruar emrin gabim. Tani nuk  e marr dot dokumentin e sigurimeve shoqërore (social security card) dhe as patentën e shoferit sepse emri në dokumentin që më dërguan nuk është i saktë. Cfarë duhet të bëj?

LZ.

Maplewood, NJ

Për fat të keq kjo që i ka ndodhur lexueses sonë ndodh jo rrallë. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara (USCIS) bën shpesh gabime të kësaj natyre në dokumenta të rëndësishëm, si në rastin e dokumentit të autorizimit për punë (EAD) që i kanë dërguar lexueses sonë. Këto gabime të bëra nga USCIS-i janë vërtet shqetësuese pasi bëhen shkak për probleme të tjera si ato që përmend lexuesja jonë. Shumë njerëz e tregojnë EAD-n si dokument identifikimi, dhe për shumë emigrantë të sapoardhur, EAD-ja, pra dokumenti i autorizimit për punë, është i vetmi dokument identifikimi me foto që  kanë. Një gabim i tillë, si p.sh. shkrimi gabim i emrit, mund t’u nxjerrë probleme në punë, shkollë apo në dokumentat e taksave. Kemi patur klientë të tjerë që janë mërzitur e lodhur kaq shumë nga këto gabime të Emigracionit sa që nuk kanë bërë asgjë për t’i ndrequr, por vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mbajnë dokumenta e tyre personalë me emrat e shkruar gabim. Kemi patur gjithashtu rast të takojmë emigrantë që kanë rënë viktimë e gabimeve të bëra nga konsulentë  të emigracionit. Shumë nga këta emigrantë që nuk dinë të lexojnë anglisht, as nuk e dinë që dokumentat e tyre përmbajnë gabime dhe për vite me radhë nuk arrijnë t’i zbulojnë këto gabime.

Këto janë gabime që mund të ndreqen. Mënyra më e lehtë për t’i korrigjuar ato, si në rastin e autorizimit për punë (EAD) për të cilin po flasim, është të mbushësh edhe një herë  formularin për autorizimin e punës për të kërkuar zëvendësimin e tij me një autorizim të ri, të shpjegosh me shkrim se është bërë gabim në dokumentin që ju ka ardhur nga Emigracioni si dhe të shkruash siç duhet në formularin e aplikimit, emrin apo fjalën që është shkruar gabim. Nëse aplikanti nuk arrin të tregojë që gabimi ka qenë i USCIS-it dhe jo i tij/saj, USCIS-i fatkeqësisht do t’i kërkojë t’i paguajë tarifat e aplikimit nga e para. Ndaj, këtu duhet patur kujdes. Në raste problemesh të tilla si ai i lexueses sonë, do t’ju sugjeronim t’i shkruanit një letër USCIS-it ku të paraqisnit qartë faktet. “Kam aplikuar më parë për EAD, një kopje të të cilit po e fus bashkë me aplikimin. Në formularin tim origjinal, unë vetë e kam shkruar saktë emrin tim, por në dokumentin e lëshuar nga ju, emri im është shkruar gabim. Këtu po bashkangjis një kopje të (formularit) kërkesës sime origjinale ku duket që emri im ka qenë shkruar saktë. Po ju dërgoj gjithashtu dhe një kopje të një dokumenti tjetër (si çertifikatë lindje apo pasaportë) ku tregohet mënyra e saktë se si shkruhet emri. Gjithashtu po ju dërgoj dhe dëshminë që e kam paguar tarifën. Së fundi, po ju dërgoj edhe dokumentin (EAD) të lëshuar nga USCIS-i ku gjendet gabimi në fjalë”. Aplikanti duhet të shkruajë me gërma të mëdha, qoftë në zarfin që përmban letrën, qoftë në krye të letrës, fjalët: TYPO CORRECTION / USCIS ERROR / FEE WAIVER REQUESTED. Ju sugjerojmë përdorimin e shkronjave të mëdha, sepse volumi i letrave që merr USCIS-i është shumë i madh dhe nëpunësit që merren me hapjen e letrave shpeshherë nuk lexojnë letrat, por vetëm formularët. Nëse nuk shohin çekun apo mandatpagesën për tarifën, gjasat janë që ta hedhin poshtë menjëherë kërkesën, përveçse kur vënë re kërkesën për të mos paguar të shkruar me gërma të mëdha.

Ka shumë çështje që kanë të bëjnë me punësimin e emigrantëve për të cilat aplikantët e mundshëm mund të kenë nevojë të dinë më shumë. Këto çështje do të trajtohen në pjesët e ardhshme të kësaj rubrike, sepse është mirë që të trajtohen në mënyrë të detajuar. Nëse lexuesit tanë dëshirojnë të mësojnë më shumë rreth marrjes së lejes për t’u punësuar, u lutemi të shkojnë në faqen e internetit të USCIS-it në adresën  www.uscis.gov

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]