Pyetje nga lexuesi lidhur me Dekretin për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijës (CSPA)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Jam nënshtetas Amerikan dhe në vitin 2007 paraqita një peticion për bashkim familjar për motrën dhe fëmijën e saj. Kanë kaluar shumë vjet që atëherë, por më në fund motra është kualifikuar për të ardhur në SHBA. Fatkeqësisht, fëmija i saj nuk kualifikohet më për shkak të moshës. Nuk më duket e drejtë, pasi kur paraqita peticionin, fëmija ishte vetëm 11 vjeç dhe nuk është faji i fëmijës që USCIS-it (Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së) iu desh kaq shumë kohë për të shqyrtuar dhe marrë vendim për çështjen. A mund të më shpjegoni arsyen pse?

CC

New York

Keni të drejtë. Ligji – sidomos në mënyrën se si është zbatuar në rastin tuaj – është i padrejtë. Sipas përkufizimit që bën ligji i emigracionit, me “fëmijë” nënkuptohet personi që është i pamartuar dhe nuk ka mbushur ende moshën 21 vjeç. Nëse përfituesi d.m.th. personi që pret të marrë një vizë emigruese nga aprovimi i një peticioni për bashkim familjar (formulari I-130) mbush 21 vjeç përpara proçesimit të vizave, ai ose ajo, kur vjen puna për qëllime emigrimi, nuk mund të konsiderohen më fëmijë nga emigracioni. Një situatë e tillë njihet si “aging out” (“kalim i moshës”) dhe shpeshherë nënkupton që këtyre aplikantëve do t’u duhet të paraqesin një peticion ose aplikim të ri dhe të presin për periudha akoma më të gjata, ose egziston mundësia që të mos kualifikohen më për green card. Duke qenë se USCIS-it iu mblodhën shumë raste të prapambetuara, Kongresi amerikan miratoi dekretin për mbrojtjen e statusit të fëmijëve që njihet si “Child Status Protection Act” (CSPA) i cili kishte si synim pikërisht mbrojtjen e fëmijëve nga “kalimi i moshës.” CSPA-ja përdor një metodë për të llogaritur moshën e dikujt për të parë nëse personi në fjalë i përmbush kriteret për t’u konsideruar “fëmijë,” për qëllime emigrimi. Mosha e llogaritur është “mosha” e fëmijës sipas dekretit në fjalë, CSPA-së. Kjo u lejon disave që të vazhdojnë të kualifikohen si fëmijë edhe pasi kanë mbushur moshën 21 vjeç. Nëse jeni aplikant i një kategorie preferenciale bashkimi familjar, mosha juaj sipas CSPA-së llogaritet duke i zbritur moshës suaj në datën kur u vu në dispozicionin tuaj një vizë emigruese, numrin e ditëve gjatë të cilave peticioni juaj ka qenë në pritje. Gjithsesi, duhet të jeni i pamartuar që të mund të kualifikoheni.

Formula për llogaritjen e moshës sipas CSPA-së është si më poshtë:

Mosha në kohën kur u vu në dispozicion viza – Kohën e Pritjes = Mosha sipas CSPA-së

Për shembull, supozojmë se jeni 21 vjeç dhe 4 muaj në kohën kur më në fund ju është vënë në dispozicion një vizë. Peticioni juaj ka qenë në pritje për shqyrtim për një periudhë prej 6 muajsh. Mosha juaj sipas CSPA-së llogaritet kështu: 21 vjeç e 4 muaj – 6 muaj = 20 vjeç e 10 muaj. Në këtë rast ju do të kualifikoheshit për green card megjithëse i keni mbushur 21 vjeç. 

Mosha në kohën kur disponohen viza 

Data kur konsiderohet që është vënë një vizë në dispozicion është data më e vonshme mes dy datave të listuara më poshtë:

  • Data kur u aprovua peticioni (të cilën mund ta shihni në njoftimin e aprovimit (formulari I-797C); ose, 
  • Dita e parë e muajit të buletinit të vizave të nxjerrë nga Departamenti i Shtetit që tregon që ka një vizë në dispozicion për ju në Tabelën e Datave të Veprimeve Përfundimtare (Final Action Dates).

Koha në pritje 

Koha në pritje të shqyrtimit të peticionit (pending time) është numri i ditëve nga data kur peticioni u paraqit siç kërkohet (datë e cila i korrespondon asaj në formularin I-797C (Receipt Notice) nëpërmjet të cilit jeni njoftuar që peticioni është marrë) dhe datës së aprovimit (e cila i korrispondon datës që gjendet në njoftimin e aprovimit formulari I-797C). Formula që përcakton kohën gjatë së cilës peticioni ka qenë në pritje është:

Data e Aprovimit – Datën e Aplikimit = Koha në pritje

Shembull:

Mamaja juaj paraqiti një peticion për ju më 1 shkurt, 2016. USCIS-i e aprovoi peticionin më 1 gusht, 2016.  1 gusht, 2016 – 1 shkurt, 2016 = 6 muaj (koha në pritje)

Kriteri për të kërkuar marrje [statusi]

Për të përfituar nga dekreti i lartpërmendur (CSPA) si kategori preferenciale bashkimi familjar (përfshirë këtu dhe VAWA-n – dekreti në mbrojtje të grave viktima të dhunës), duhet të kërkoni të merrni statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm brenda një viti nga momenti kur u vu një vizë në dispozicionin tuaj. Kjo njihet si kriteri “për të kërkuar marrje” [statusi]. Mund ta përmbushni këtë kërkesë duke paraqitur të plotësuar pjesën e parë të aplikimit për vizë emigruese në formë elektronike, formulari DS-260 (Part 1 of Form DS-260, Immigrant Visa Electronic Application); duke i paguar Departamentit të Shtetit tarifën e rishikimit të formularit I-864 (Affidavit of Support); ose duke paraqitur në emrin tuaj në mënyrën e duhur Formularin I-824, (Application for Action on an Approved Application or Petition). Nëse nuk arrini të bëni qoftë dhe njërën nga këto, është në diskrecionin e USCIS-it nëse do t’ju çlirojë ose jo nga nevoja për të përmbushur këto kërkesa, gjithnjë nëse tregoni me prova që rrethana të jashtëzakonshme kanë qenë arsyeja pse nuk i përmbushët dot këto kërkesa. 

Tabelat çorientuese të vizave

Në vitin 2015, Departamenti i Shtetit nxorri dy tabela në buletinin e përmuajshëm të vizave: Tabelën A – Datat e Veprimeve Përfundimtare dhe Tabelën B – Datat e Aplikimit. Data e Aplikimit në buletinin e vizave, potencialisht, të lejon që të dërgosh herët aplikimin për vizë në ato raste kur personi që përfiton nga ky aplikim gjendet jashtë vendit. Data e Veprimeve Përfundimtare është data kur mund të aprovohet viza (green card-a) e aplikantit. Data e Aplikimit, nëse USCIS-i vendos kështu, u lejon mundësinë për të paraqitur herët aplikimin për vizë emigruese DS-260 atyre personave që janë jashtë Shteteve të Bashkuara si dhe proçesimin e vizave emigruese jashtë vendit. Data e Aplikimit u lejon aplikantëve të kualifikohen nga pikëpamja e dokumentacionit (d.m.th. e njeh faktin që aplikantët kanë paraqitur të gjitha dokumentat që nevojiten) përpara lëshimit të vizës emigruese pra kur “i vjen koha” Datës Përfundimtare. Është e qartë që të përdorësh Datën e Aplikimit për të mbrojtur moshën e fëmijës që po i afrohet moshës 21 vjeçare ka më shumë avantazhe – Data e Aplikimit bëhet e disponueshme shumë më shpejt se Data e Veprimeve Përfundimtare.

Për fatin e keq të mbesës së lexuesit tonë, USCIS-i e ka bërë të qartë që data e vetme mbi të cilën do të bazohet për të vendosur dhe “ngrirë” moshën e fëmijës do të jetë Data e Veprimeve Përfundimtare. Kështu pra, nëse aplikimi DS-260 për vizë emigruese është dërguar bazuar në Datën e Aplikimit dhe fëmija e kalon moshën (bëhet fjalë për moshën sipas CSPA-së, llogaritjen e së cilës e shpjeguam më lart) përpara se të bëhet e disponueshme Data e Veprimeve Përfundimtare, fëmija nuk mund të mbrohet më nga dekreti në fjalë dhe nuk kualifikohet më për vizë. Në një situatë të tillë, kur fëmija është përfshirë në peticionin për bashkim familjar si “derivat” i prindit, këtij të fundit mund t’i aprovohet viza, por fëmijës jo. 

Avokatët e emigracionit kanë lobuar pranë qeverisë për të ndryshuar këtë ligj me qëllim parandalimin e asaj që është dukshëm një padrejtësi ndaj fëmijëve që u është kërkuar të presin për një kohë shumë të gjatë. U bëjmë thirrje lexuesve tanë që të kontaktojnë zyrtarët që kanë zgjedhur dhe t’u kërkojnë të bëjnë këtë ndryshim.  

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Comment

*