Qeveria e Kosovës e miratoi nismën për negocimin e marrëveshjes me MCC-në

Prishtinë, 23 mars 2022 – Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën nismën për negociimin e marrëveshjes me Korporatën Amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për programin “kompakt”, në vlerë prej 234 milionë dollarësh.

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, në mbledhjen e qeverisë, tha se ky projekt do të ndihmojë në pavarësimin e sistemit energjetik të vendit.

“Në kohën kur edhe bota është e përfshirë në krizë energjetike e cila po rëndohet edhe më tej nga lufta në Ukrainë, ne duhet të jemi vigjilent e ta kalojmë sa më parë këtë program që ndihmon në pavarësimin e sistemit tonë energjetik dhe mundëson transformimin e sistemit energjetik të Kosovës”, tha zonja Rizvanolli.

Zonja Rizvanolli tha se hollësitë e këtij projekti do të bëhen të ditura pas negociatave që pritet të zhvillohen në muajin maj ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit.

“Kapacitetet e rezervave do të varen nga negociatat përfundimtare të muajit maj por ajo çfarë mund të ju siguroj në këtë fazë është se kapacitetet do të jenë më shumë se 150 megavat dhe do të sigurohen rreth 200 megavat rezerva”, tha zonja Rizvanolli.

Ajo tha se rezervat e energjisë që do të mblidhen nga ky program janë thelbësore për arritjen e synimeve të Kosovës në fushën e energjisë së ripërtërishme, por nuk dha me shumë hollësi.

Në shtator të vitit të kaluar qeveria e Kosovës u tërhoq nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut. Qeveria tha atëbotë se tërhiqet nga projekti me arsyetimin se “ka nevojë për më shumë informata për të qenë më e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Kjo ngjalli reagime të shumta në Kosovë përfshirë edhe të partive opozitare, të cilat akuzuan qeverinë për dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Në një njoftim të mëvonshëm për media ministria e Ekonomisë sqaroi se projekti për të cilin është diskutuar sot në mbledhjen e qeverisë nuk ka të bëjë me atë të gazsjellësit.

“Programi Kompakt do të përfshijë dy projekte, e para rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 megavat për orë), dhe e dyta zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet gjithashtu se investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe se gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatave me partnerët nga korporata Sfidat e Mijëvjeçarit “do të njoftohet për zhvillimet dhe hollësitë përfundimtarë të projektit”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha gjatë mbledhjes së qeverisë se nisma për marrëveshjen me korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit dëshmon marrëdhëniet e palëkundura të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe do të mbesin faktori kyç i forcimit të shtetit të Kosovës, ku sot kemi edhe një shembull të bashkëpunimit që vërteton një gjë të tillë”, tha ai.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind të energjisë së përgjithshme të vendit, ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)