Qeveria e Kosovës miraton masat emergjente për furnizim me energji

Prishtinë, 1 gusht 2022 – Për shkak të krizës energjetike në botë dhe rritjes së çmimit të importit, Qeveria e Kosovës tha se ka miratuar masa emergjente për furnizim me energji elektrike.

Sipas Qeverisë, masat e ndërmarra kanë për qëllim që të sigurojnë ngrohje gjatë stinës së dimrit.

“Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet”, janë masat që janë ndërmarrë nga Qeveria, sipas njoftimit për media.

Masat e ndërmarra do të mbesin në fuqi për 60 ditë, pasi të miratohen nga Kuvendi i Kosovës. Ato mund të zgjaten deri në 180 ditë, me vendimin e deputetëve.

Kosova prodhon mbi 90 për qind të energjisë elektrike përmes termocentraleve Kosova A dhe B. Pjesa tjetër prodhohet përmes burimeve të ripërtërishme, sikurse panelet diellore dhe energjia me erë.

Pavarësisht se Kosova A dhe B konsiderohen se janë termocentrale të stërvjetëruara, Qeveria tha se ato po funksionojnë mbi 80 për qind të kapacitetit dhe riparimet e parapara në to pritet që të mundësojnë që të mbahet kjo përqindje e prodhimit të energjisë përmes thëngjillit.

Për shkak të situatës në sektorin e energjisë, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e Qeverisë amerikane, më herët gjatë këtij muaji ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që mëton të forcojë pavarësinë energjetike të vendit.

Programi kompakt i MCC-së, parasheh që përmes baterive të fuqishme të mundësohet akumulimi i energjisë së prodhuar, në mënyrë që të përdoret kur kërkesa, por edhe çmimet e eksportit janë më të larta.

Sipas zyrtarëve në Kosovë, marrëveshja me MCC-në pritet të nisë së zbatuara 18 ose 24 muaj më vonë.

(REL)