Qeveria e Kosovës miraton vendimin për strehimin e afganëve

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje (16 gusht) ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tani ndjehen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

“Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë derisa të iu përfundojnë procedurat e vizave amerikane.

Më herët një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet amerikane janë duke negociuar me Kosovën për çështjen e strehimit të afganëve.

“Ne mund të konfirmojmë se Qeveria amerikane është në bisedime me Qeverinë e Kosovës lidhur me atë se si Kosova mund të ndihmojë partnerët amerikanë në Afganistan. Tash për tash nuk mund t’iu japim më shumë detaje”, thuhej në përgjigje.

Të dielën, më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Ajo tha se “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Presidentja Osmani tha se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejt dhe të ashpër.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi. /REL/

Comment

*