Qeveria e Kosovës: Serbia refuzoi ta nënshkruajë propozimin e BE-së

Prishtinë, 28 shkurt 2023 – Qeveria e Kosovës, në një komunikatë për media, ka dhënë detaje nga diskutimet e zhvilluara në takimin e kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, të hënën.

Në komunikatë thuhet ajo që ka thënë vetë Kurti pas takimit, se ai ishte i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian, por Vuçiqi e ka refuzuar  nënshkrimin.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin”,  thuhet në komunikatën e Qeverisë  së Kosovës.

Në komunikakët thuhet se në takimin trilateral është dakorduar që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë.

Aty thuhet gjithashtu se dy palët, bashkë me ndërmjetësuesin e dialogut, do ta hartojnë planin e zbatimit të marrëveshjes, e cila pritet të nëshkruhet  në muajin mars.

“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet në komunikatë.

“Marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre. Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet në komunukatën e Qeverisë  së Kosovës.

(r.m.)