Qeveria e Kosovës: Shkarkimi i Ekipit Menaxhues për Asociacionin nuk e shkel marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prishtinë, 5 maj 2023 – Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi i është kundërpërgjigjur deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kadiu, në një postim në Facebook, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra Ekipin Menaxhues që ditë më parë prezantoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, ka shkruar Kadiu.

Ai ka thënë se zëdhënësi i BE-së duhet të ketë “gatishmërinë e njëjtë” të reagojë kur ka shkelje të marrëveshjes nga Serbia, siç ndodhi me votimin kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, ka shkruar ai.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur të miratohet statuti.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, më 3 maj, i ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues.

Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

(r.m.)