Qeveria e mbështet propozimin për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Prishtinë, 3 shtator 2021 – Qeveria e Kosovës e mbështet propozimin për shkurtimin e fushatës për zgjedhjet lokale.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se qeveria e mbështet këtë propozim, duke theksuar se beteja me pandeminë është e përbashkët për të gjithë.

Por, Kryeziu, në mënyrë indirekte, e ka akuzuar opozitën se ka penguar “përpjekjet e qeverisë për menaxhimin e pandemisë”.

“Ne e mbështesim propozimin që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër, varësisht nga rekomandimet e IKSHPK-së. Beteja me pandeminë është betejë e përbashkët, sepse të gjithë përballemi me të njëjtin rrezik, pa dallim. Prandaj, sikurse në Qeverinë Kurti 1, ne jemi të hapur për bashkëpunim. Por, siç ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkëpunim është edhe atëherë kur nuk pengohen përpjekjet e qeverisë për menaxhimin e pandemisë, edhe atëherë kur nuk përhapen dezinformata për vaksina dhe afatin e tyre, e edhe kur respektohen masat e qeverisë. Andaj, le të fillojmë nga kjo formë e bashkëpunimit”, ka thënë Kryeziu për Klankosova.tv.

Propozimi për shkurtimin e fushatës zgjedhore përshkak të pandemisë së koronavirusit është bërë nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumit Abdixhiku.

Në kërkesën e tij, Abdixhiku ka kërkuar që të gjitha subjektet politike të bëjnë një pakt dhe të merren mesh për shkurtimin e fushatës zgjedhore.

“Përtej përgjegjësive shtetërore që Qeveria i ka, përgjegjësi që duhet t’i ushtrojë me plot kompetencë, përgjegjësi për të cilat do të mbahet për llogari gjithsesi, sot po ju drejtohem secilit nga ju, si kryetarë partish, që të kapërcejmë mbi veten, t’i kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor. Më saktësisht, në këtë pakt, propozoj që me vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përballjen politike nga terreni, ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka kërkuar nga krerët e partive që t’i udhëzojnë të gjithë kandidatët e tyre që çdo aktivitet paraelektoral dhe elektoral ta zhvillojnë konform udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Propozimi i liderit të LDK-së është mbështetur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, dhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Haradinaj, madje, kakërkuar që fushata zgjedhore të zgjasë vetëm pesë ditë.

“Kam pranuar një letër nga kryetari i LDK-së z. Abdixhiku ku ai kërkon shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 30 në 10 ditë. Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së ka thënë se pajtohet të shkurtohet vetëm kohëzgjatja e fushatës konvencionale, ku përfshihen tubimet dhe takimet me prezencë fizike.

“Partia Demokratike e Kosovës ndan mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”, ka shkruar Krasniqi.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor. Sipas Ligjitpër Zgjedhjet, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë.

(r.m.)

Comment

*