Qeveria e Shqipërisë do të ndërhyjë edhe në çmimet e artikujve bazë të shportës

Tiranë, 17 mars 2022 – Qeveria e Shqipërisë bëri të ditur sot se do të ndërhyjë edhe për çmimet e artikujtve bazë ushqimorë të shportës, siç bëri me çmimet e karburanteve. Një bord i përbashkët i qeverisë dhe bizneseve do të përcaktojë çmimet me një marzh fitimi që nuk e pengon aktivitetin normal të kompanive.

Kryeministri Edi Rama e komunikoi këtë vendim në një takim me përfaqësues të kompanive që merren me prodhimin ose furnizimin e tregut me këta artikuj.

“Çmimet e ushqimeve bazë do vendosen aty e askush nuk do tolerohet të vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty dhe kush do vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty, do humbasë prodhimin, do t’ia konfiskojmë komplet”, tha ai.

Rama pranoi se kjo është një ndërhyrje e imponuar nga agresioni rus në Ukrainë, prej nga importohen shumë lëndë të para, por dhe nga efektet zinxhir që i ka prodhuar agresioni ndaj këtij vendi.

Zoti Rama tha se çmimet nuk do të përcaktohen në mënyrë arbitrare.

“Ju do të paraqisni gjithë strukturën logjike se si, bazuar në shifra, sa ju del dhe aty do të vendoset dhe sigurisht që marzhi i fitimit do të ngrijë në një pikë që t’ju lejojë ju vazhdimin e operacionit, por jo që ju të dilni me fitim njësoj siç kemi dalë me fitim, se kjo nuk ka sens, se që ju të dilni me fitim, siç keni dalë gjithmonë me fitim, duhet të vuajë këtu një popullsi e tërë, por jo, këtë ne nuk mund ta lejojmë”, u tha Rama përfaqësuesve të kompanive.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i tha Zërit të Amerikës se “çmimet e të gjitha lëndëve të para dhe produkteve të gatshme e kanë kapërcyer çdo parashikim dhe pritshmëri”. Ai tha se, në këtë situate, “kërkohet ndërgjegjësimi për kontribut, pse jo edhe për sacrificë, nga të gjithë aktorët dhe faktorët.

“Sipërmarrja private, nga njëra anë, duhet të heqë dorë nga norma e fitimit të paktën për një periudhe dy mujore, por, nga ana tjetër, qeveria shqiptare duhet të hartojë në mënyrë të menjëhershme paketën e ndërhyrjeve fiskale për një periudhë po dymujore. Toleranca dhe sakrifica duhet të dëshmohen nga të gjitha palët”, u shpreh zoti Jaka.

Ai  tha se sipërmarrjet sot janë në kushte të mbijetesës, pasi ajo vjen pas krizës dy-vjeçare të pandemisë, gjatë së cilës  nuk  parti anjë mbështetje qenësore nga qeveria.

“Krizat përballohen me kurajë, me integritet dhe ndarje risku”, theksoi zoti Jaka.

Çmimet e pothuajse të gjitha produkeve ushqimore kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit. Çmimet e disa prej  këtyre artikujve janë rritur edhe mbi 50 për qind.

Rritja e ndjeshme e çmimeve të derivateve të naftës dhe të artikujve elementarë jetësorë çoi në një valë protesash që përfshinë thuajse gjithë vendin. Ndërkohë Qeveria shqiptare miratoi një paketë antikrizë, e cila u vlerësua e pamjaftueshme nga opozita dhe nga shoqëria civile. Ekspertët e ekonomisë thanë se në situate të tilla qeveria duhet të bëjë ndryshime në sistemin e taksave, në mënyrë që barrën e krizës të mose bartin vetëm bizneset.

(Sipas Zërit të Amerikës)