Qeveria e Shqipërisë planifikon edhe 7 kontrata me koncesion me vlerë 1 miliard dollarë

Tiranë, 20 tetor 2022 – Qeveria e Shqipërisë, me projektbuxhetin e vitit 2023, ka planifikuar dhënien e 7 kontratave të reja me koncesion me vlerë rreth 1 miliardë dollarë.

Sipas projektbuxhetit të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlera më e madhe i takon ndërtimit të aksit të ri rrugor Kashar-Lekaj me vlerë 56,7 miliardë lekë. Ndërsa kontrata e dytë më e madhe është ndërtimi i segmentit rrugor Lekaj-Fier me vlerë 37,9 miliardë lekë.

Koncesionet me vlera më të vogla janë ato për ndërtimin e rrugës Milot-Thumanë me vlerë 5,2 miliardë lekë dhe dy kontrata me partneritet publik privat për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në bashkinë Tiranë për 4 objekte arsimore në zonë 3. Dy kontratat me koncesion për infrastrukturën arsimore janë në vlerën e 5,1 miliardë lekëve.

Dy kontrata e tjera me vlerë më të vogël ai për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI) 208,8 milionë lekë dhe kontrata për ndërtimin e aeroportit të Sarandës me vlerë 4,2 miliardë lekë ishin të parashikuara për të filluar që në 2022.

Vlera e koncesioneve të reja është 109 miliardë lekë duke e çuar në total rreth 781 miliardë lekë vlerën e kontratave koncesionare apo 36% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Për vitin 2023 shpenzimet buxhetore për koncesionet parashikohen deri në 13,4 miliardë lekë (më rënie 2,3%). Krahasuar me buxhetin e rishikuar 2022, shpenzimet që janë parashikuar për mbështetje buxhetore ndaj koncesioneve janë në rritje me 2,5%.

Projektbuxheti i ardhshëm nuk ndërpret pagesën për inceneratorin e Tiranës që ende nuk ka nisur nga puna. Për këtë koncesion për 2023 pagesat e buxhetit do të jenë në vlerën e 1,2 mld lekëve. Për dy kontratat e tjera atë të Fierit dhe Elbasanit që janë në ndjekje penale nuk parashikohen mbështetje buxhetore për 2023.

(Monitor.al)