Qeveria malazeze e miraton Ligjin Antimafia që parasheh konfiskimin e pasurive të paligjshme

Podgoricë, 28 tetor 2021 – Qeveria e Malit të Zi, të mërkuren, në një konferencë me gazetarë, e ka prezantuar një iniciativë ligjore, mbi bazën e së cilës do të konfiskohen pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme.

Pakoja ligjore do t’i dërgohet për miratim në parlament, pas një debati public.

Zëvendës-kryeministri Dritan Abazoviq ka thënë se ligji i ri  do të kontribuojë ndjeshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka theksuar se ky është një ligj i qartë që ka qëllim t’i jepet fund pasurimit të paligjshëm.

“Unë do ta quaja një ligj kundër mafies”, ka thënë Abazoviq, citon Zëri i Amerikës.

Ai ka treguar se ligji parashikon konfiskimin e pasurive të fituara nëmënyrë të paligjshme.

“Atyre personave që nuk e provojnë dot se pasuritë e tyre nuk janë krijuar në mënyrë të ligjshme do t’u konfiskohen ato – automjetet, shtëpitë apo jahtet – të cilat do të bëhen pronë e Malit të Zi”, ka shpjeguar ai.

Abazoviq ka shprehur bindjen se ky ligj do ta ketë mbështetjen e 81 deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi.

Në konferencën me gazetarë u tha se konfiskimi i pasurive me origjinë të paligjshme do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve malazeze.

(r.m.)

Comment

*