Qeveria nuk di sa afganë do të strehohen në Kosovë dhe kur do të arrijnë

Prishtinë, 25 gusht 2021 – Qeveria e Kosovës nuk e di ende numrin e saktë të afganëve që do të strehohen në Kosovë. Ajo nuk di ende as kur do të arrijnë në Kosovë afganët që do të evakuohen nga vendi i tyre me ndihmën e forcave ushtarake ndërkombëtare.

Gjithsesi, numri i afganëve që do të vendosen përkohësisht në Kosovë, derisa të pajisen me viza migrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të jetë i madh, pasi Kosova ka kapacitete të vogla për strehimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçka tha se institucionet e Kosovës janë përgatitur për mbarëvajtjen e procesit të pritjes dhe vendosjes së migrantëve afganë dhe tregoi se ka disa alternative për vendosjen e tyre.

“I kemi bërë planet operative, në mënyrë që i gjithë ky proces të organizohet në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Ka disa alternativa të ndryshme, qoftë për strehim qoftë edhe për mënyrën e pritjes dhe transportimit të tyre nëpër vendet ku ata do të akomodohen”, tha ai, në një konferencë për media.

Sveçla tha se strehimi i afganëve do të bëhet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. 

 “Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Ambasadën amerikane këtu dhe me përfaqësuesit e NATO-s, në mënyrë që atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi se aleate dhe partnere strategjike i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të jemi pjesë e lehtësimit të kësaj situate jashtëzakonisht të rëndë për shtetasit afganë, posaçërisht për një grup që njihet si grup i të rrezikuar”, tha Sveçla.

Sveçla e cilësoi “vendim të duhur” vendimin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e përkohshëm të shtetasve afganë që kanë bashkëpunuar me SHBA-në dhe NATO-n.

Ai shpjegoi edhe një herë se afganët do të qëndrojnë në Kosovë deri në përfundimin e procedurave për megrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në vende të tjera të treta.

(r.m.)