Qeveria “Rama 3” bën betimin para Presidentit Meta, të shtunën

Tiranë, 17 shtator 2021 – Qeveria e re e Shqipërisë, e cila e mori votëbesimin e Kuvendit, do ta japë betimin të shtunën.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij të ri qeveritar do të betohen në një ceremoni tek Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Qeveria “Rama 3” u votua në Kuvend në orët e para të ditës së premte. Ajo u miratua me 77 vota ‘pro’, me 53 vota ‘kundër’ dhe me 1 abstenim.

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë zgjati më shumë se 20 orë. Ajo nisi të enjten në orën 10:00 dhe përfundoi në orët e para të së premtes. Në fillim të seancës, kryeministri Edi Rama e paraqiti programin qeverisës, e pastaj u zhvillua një debat i gjatë.

Siç pritej,  shumica në parlament e lavdëroi programin qeverisës, duke premtuar zhvillim më të shpejtë ekonomik, investime me interes publik, përmirësim të pozitës sociale dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët. Ndërkaq, deputetët e opozitës bënë kritika të mëdha në programin qeverisës që e prezantoi Rama, duke e cilësuar atë si “një letër pa vlerë” që nuk bazohet në mundësitë reale dhe në nevojat e qytetarëve.

Por, shumica e deputëteve opozitarë e kontestuan legjitimitetin e shumicës parlamentare dhe të   Qeverisë “Rama 3”. Ata e akuzuan kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij të deritashme për vjedhje dhe blerjetë votave, si edhe për korrupsion, shpërdorim të fondeve publike, për lidhje me krimin e organizuar, për politizim të shërbimeve publike e të administratës shtetërore, etj.

(r.m.)