Qindra mijëra gra dhe fëmijë vazhdojnë të largohen nga Ukraina

Kiev, 1 mars 2022 – Qindra mijëra ukrainas u larguan drejt Perëndimit gjatë tri ditëve të para të sulmit rus ndaj Ukrainës. Sipas policisë kufitare ukrainase, vetëm më 27 shkurt nga vendi u larguan mbi 120,000 njerëz.

Shehini është një fshat në perëndim të Ukrainës, ku është krijuar një autokolonë që shtrihet rreth 30 kilometra deri në kufirin polak.

Njerëzit që përpiqen të largohen nga Ukraina kanë dy mundësi: të presin në radhë të gjatë ose të braktisin makinat e tyre dhe të ecin në këmbë.

“Kam dëgjuar për njerëz që kanë pritur 24 orë në radhë, kur autokolona ishte vetëm 6 kilometra gjatë. Tani ajo është 30 kilometra e gjatë”, tha për Zërin e Amerikës një banore e Ukrainës që po përpiqet të largohet nga vendi.

Në këtë zonë gjenden njerëz nga e gjithë Ukraina – nga Kievi, Zhitomiri, Mikolaivi, Kharkivi, Krivoi Rogu, Lviv dhe Ivano-Frankivski.

“Ata filluan të bombardonin bazat ushtarake, nuk ndiheshim të sigurt dhe vendosëm të largoheshim”, thotë një banore e një rajoni të Ukrainës që po sulmohet nga Rusia.

“Eshte e frikshme. Nata vjen dhe ne nuk mund të flemë. Ne kemi frikë”, tha për Zërin e Amerikës një banore tjetër e Ukrainës që po përpiqet të largohet nga vendi me fëmijët e saj.

Një autobus bën udhëtime të rregullta midis fshatit dhe kufirit, një transport i organizuar posaçërisht për gratë me fëmijë. Disa prej tyre kanë marrë me vete edhe kafshë shtëpiake.

“Tani më duhet ta mbaj për 30 kilometra! Por kjo është në rregull, nuk mund ta lë maçokun”, thotë një grua që po përpiqet të largohet nga vendi.

Në këtë zonë mund të shihni kryesisht gra dhe fëmijë. Ata pak burra që ndodhen këtu, po përcjellin të dashurit e tyre.

“Vendosëm t’i largonim fëmijët. Strehimi në bunkerë me fëmijët për t’u shpëtuar sulmeve me bomba është i tmerrshëm Ne do t’i çojmë fëmijët në Poloni dhe më pas do të kthehemi për të ndihmuar njerëzit tanë”, thotë një banor i Ukrainës.

Shifrat po ndryshojnë, por të paktën 300 mijë ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi i tyre që nga fillimi i sulmit rus. Ndërkohë, Polonia dhe vendet e tjera të BE-së po ofrojnë strehim falas për refugjatët ukrainas dhe kompania Airbnb tha se do të ofrojë strehim të përkohshëm falas për rreth 100,000 refugjatë ukrainas.

(Zëri i Amerikës)