Qitësja shqiptare që u rikthye në Olimpiadë pas 20 vitesh për të përfaqësuar Amerikën

Nga Ruben Avxhiu

7 gusht 2016

20 vjet më parë, kur Olimpiada Botërore organizohej në SHBA, qitësja e talentuar Enkelejda Shehaj përfaqësoi Shqipërinë. Një vit më parë, ajo u rikthye në skenën më të madhe botërore të sportit, kësaj here duke përfaqësuar Shtetet e Bashkuara.

Rasti i saj tërhoqi vëmendjen e medias amerikane që nënvizoi rolin që po luajnë në suksesin sportiv të vendit emigrantët dhe fëmijët e emigrantëve.

Duke folur për kanalin televiziv NBC, Enkelejda tregoi sesi në regjimin komunist sportit të qitjes i jepej shumë rëndësi. Në fakt, Shqipëria kishte gjithmonë ekip të fortë në këtë sport.

Ajo vetë u regjistrua qysh në moshën 17 vjeçare në klubin e qitjes, në Tiranë, ku stërvitej me pistoletë. Enkelejda tregon se askush nuk lejohej të mbante armë privatisht në atë kohë dhe pistoleta dorëzohej kur mbaroje stërvitjen.

Në vitin 1988, ajo filloi të merrte pjesë në gara brenda vendit.

Tani, 47-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, jeton Florida dhe kujton periudhën surreale nën komunizëm kur pas kthimit nga garat jashtë vendit, nuk u lejohej të komunikonin me të tjerët ndërsa kur ktheheshin nuk u lejohej të tregonin se si jetonin njerëzit jashtë vendit.

“Ne na mësonin se ishim vendi më i mirë dhe të gjithë të tjerët ishin në mjerim… Caktonin njerëz që të na ndiqnin dhe që të siguroheshin se nuk po tregonim se çfarë kishim parë jashtë vendit. Ishte e pabesueshme”, thotë ajo duke shtuar sesa shokuese u tingëllojnë këto histori fëmijëve të saj.

Ajo tregon se nuk i shkonte mendja të arratisej kur dilte jashtë vendit në atë kohë, sepse druhej se çfarë mund t’i ndodhte familjes. Prindërit e atyre që nuk ktheheshin mund të burgoseshin apo internoheshin.

Për një vend të vogël si Shqipëria, sukseset në qitje ishin të mëdha dhe Shehaj dha kontributin e saj. Në vitin 1991, ajo doli në vend të katërt në Kampionatin Botëror të Qitjes dhe u kualifikua në skuadrën shqiptare të qitjes, në Lojërat Olimpike të Barcelonës, në 1992. Ishte hera e dytë që Shqipëria mori pjesë në to, pas vitit 1972.

Në tre gara olimpike, nga 1992 në 1996, ajo doli në vendet 14, 15 dhe 21 në botë.

Pas trazirave të vitit 1997, ajo vendosi të largohej nga Shqipëria. Restoranti i babait të saj u shkatërrua dhe dogj në atë kohë. Vendosja e shtetrrethimit dhe pasiguria ishin të rënda.

Bashkëshorti i saj ishte gjithashtu një qitës profesionist, po rrugët e tyre u ndanë. Ai qëndroi në Shqipëri, ajo u nis vetëm me vajzën e saj, Megin 5-vjeçare. Kur mbërriti në New York, ajo tregon se kishte dy valixhe.

“Njëra kishte rroba. Valixhja tjetër është ende aty në dollapin tim, me të gjitha medaljet, revistat, artikujt që ishin shbkruar për mua dhe të gjitha diplomat e gjithshka që kishte lidhje me sportin. Kjo ishte e gjitha”, tregon ajo.

Vendimi i saj për të mos u kthyer solli përjashtimin nga ekipi olimpik kombëtar, për Lojërat e Vitit 2000.

Dukej se karriera sportive e Enkelejdës mbaroi njëherë e përgjithmonë. Ajo u vendos pranë disa miqve në Michigan ku jetoi për pesë vjet.

Aty u njoh me një bashkatdhetar Tony Bekurti, që ishte rritur po në lagjen e saj në Tiranë dhe ishte vendosur në SHBA në 1997.

Ai kishte luajtur tenis me motrën e saj por e njihte mirë qitësen. “Enka ishte një 10 sportistet më të mira të Shqipërisë,” tha Bekurti për NBC. “E dija se kush ishte”.

Njohja ndryshoi jetën e tyre. U martuan në 2001 dhe kanë edhe një vajzë bashkë, Eneldën.

Në 2004, u vendosën në Florida dhe Enkelejda rifilloi interesin për qitjen. Ata hapën një restorant në Naples, “Olympia Dining” dhe simbolet e suksesit të saj në qitje, zbukurojnë muret e lokalit.

“Është një emër kuptimplotë”, thotë Shehaj. “Gjithmonë kam dashur të merrja pjesë edhe një herë të vetme në Olimpiadë”.

Bekurti e kuptoi dëshirën e saj. Ai iu rikthye tenisit në tavolinë dhe nxiti të shoqen që të rifillonte qitjen, në 2009 dhe 2010.

Në 2012, ajo u bë qytetare amerikane dhe në 2014, pas një dekade e gjysëm u rikthye në garat ndërkombëtare të qitjes, kësaj here si pjesë e ekipit kombëtar amerikan.

“Nuk është diçka që harrohet, qitja”, thotë ajo duke e krahasuar me biçikletën. “Është një lojë mendore”.

Pas një konkurrimi për jetë a vdekje, në provat olimpike në Fort Benning, në Georgia, ajo siguroi në prill një vend në Lojërat Olimpike 2016, që u mbajtën në Rio.

Është nje histori e jashtëzakonshme rikthimi e pa dyshim është biseda kryesore në restorantin “Olympia Dining”, në Naples, Florida.