QUINT-i shpreh shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e serbëve

Prishtinë, 25 mars 2022 – Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo të dhunës në protestat e serbëve në Kosovë.

Në deklaratën e Quint-it dhe BE-së nuk është përmendur lokacioni, mirëpo të premten, 25 mars, në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë janë duke u zhvilluar protesta të popullsisë lokale serbe, kundër vendimit Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.

“Qytetarët kanë të drejtë që të mblidhen dhe kanë përgjegjësi që këto protesta të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme”, është thënë në deklaratën e këtyre misioneve.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim që mund të çojë në rritje të tensioneve.

Popullata e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po proteston në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë shkuar në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Prishtina zyrtare pretendon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë ndaluar, por nuk është arritur marrëveshje mes dy palëve për mbajtjen e tyre,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka këmbëngulur që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e ka parë si si presion për njohjen e Kosovës dhe ka refuzuar diçka të tillë.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.

Lidhur me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Beograd, më 22 mars.

Në takim morën pjesë edhe gjyqtarë dhe zyrtarë policorë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar të enjten kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, për pjesëmarrje në atë tubim, deri në vendimin përfundimtar të komisionit disiplinor. Zyrtarët e Kosovës thanë se pjesëmarrja e saj në tubim minon integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtares.

Të premten, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është duke u “shqyrtuar” edhe pjesëmarrja e drejtuesve të policisë serbe në takimin me Vuçiqin.

Pas suspendimit të Lilana Stevanoviqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me këtë veprim është shkelur Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vitit 2013. Marrëveshja integroi forcat policore dhe gjyqësorin brenda sistemit të Kosovës.

Serbëve të Kosovës u është thënë se do të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit, në Serbinë qendrore.

(REL)