QUINT-it dhe BE-ja kërkojnë që serbëve të Kosovës t’u lejohet votimi në referendumin e Serbisë

Prishtinë, 14 janar 2022 – Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar) si dhe Bashkimi Evropian  i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratë.

Në thirrje të përbashkët është thënë se qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

Referendumi për ndryshime në Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë hapjen e vendvotimeve për referendumin e Serbisë. Ajo ka thënë se qytetarët serbë në Kosovë që kanë shtetësi të dyfishtë do të mund të votojnë përmes postës dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

QUINT-i dhe BE-ja e kanë mirëpritur referendumit për ndryshime në Kushtetutën e Serbisë, duke e vlerësuar si një hap përpara të përafrimit të Serbisë me standardet evropiane.

Deklarata:

Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.

(r.m.)