Radio Evropa e Lirë kërkon ndihmën e Gjykatës Evropiane në përballjen me Moskën

Pragë, 16 prill 2021 – Radio Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL), një ndër rrjetet e transmetimit ndërkombëtar të financuara nga qeveria amerikane, i ka kërkuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të mos i lejojë Rusisë të vërë gjoba që mund t’i kushtojnë kësaj agjencia miliona dollarë.

Agjencia rregullatore ruse për median Roskomnadzor vjet i dha urdhër rrjetit mediatik Radio Evropa e Lirë/ Radio Liria, të cilin autoritetet ruse e kanë identifikuar si “agjent i huaj” të shtonte paragrafë të gjatë në artikujt e saj ku të specifikonte se përmbajtja në këto artikuj ishte krijuar nga një organizatë që “kryen funksionet e një agjenti të huaj”.

Ligji rus që mbulon organizata jo-qeveritare politike si dhe grupe mediatike të financuara nga jashtë, është kritikuar si përpjekje e Moskës për të diskredituar gazetarinë kritike dhe zërat e kundërshtarëve. Termi “agjent i huaj” ka ngjyrime mjaft negative në Rusi.

Që nga tetori, Roskomnadzor ka deklaruar 390 shkelje nga RFE/RL dhe pritet të njoftojë të tjera. Ky rrjet transmetimesh është ndëshkuar me gjoba me vlerë afro 2.4 milionë dollarë.

RFE/RL tha se i ka kërkuar gjykatës për të drejtat e njeriut të urdhërojë Rusinë të mos kërkojë pagesën e gjobave deri kur gjykata të marrë një vendim të plotë mbi veprimet e agjencisë rregullatore ruse, të cilat Radio Evropa e Lirë/Radio Liria i cilëson si shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Shpresojmë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do t’i gjykojë këto veprime të qeverisë ruse me realizëm: si përpjekje për të luftuar fjalën e lirë dhe të drejtat e popullit rus,” tha Presidenti i RFE/RL, Jamie Fly përmes një deklarate të premten.

Kohët e fundit Rusia ka shtuar masat ndëshkimore me synimin për të luftuar kundërshtarët. Këtë javë u ngritën akuza penale kundër katër redaktorëve të një portali mediatik studentor që kishte postuar në internet një video të lidhur me protestat e janarit me thirrjet për lirimin e aktivistit Alexei Navalni.

Javën e kaluar një gjykatë ndëshkoi me gjobë prej afro 117,000 dollarësh kompaninë Twitter pasi nuk kishte bllokuar postime ku përdoruesit u bëjnë thirrje të miturve t’u bashkohen protestave pa leje.

Paragrafi që agjencia Roskomnadzor i kërkon rrjetit të transmetimeve RFE/RL të përfshijë në materialet e saj thotë: “Ky artikull (material) u krijua dhe u shpërnda nga një organizatë e medias që kryen funksionet e një agjenti të huaj dhe (ose) një entitet ligjor rus që kryen funksionet e një agjenti të huaj”.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*