Radoiçiq “i rehaton” serbët në institucionet serbe në Kosovë

Beograd, 23 janar 2023 – A po kujdeset për serbët në jug të Ibrit apo po i “hesht“ ata Millan Radoiçiq?

Kjo pyetje shtrohet pasi një grup prej rreth 50 anëtarësh të pakënaqur të komunitetit serb nga pjesa qendrore e Kosovës, më 20 janar, e mbajtën një takim me Radoiçiqin në Rashkë, qytet në Serbi, në kufi me Kosovën.

Radoiçiq që nga viti 2018 është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit. Ndryshe, ai është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Kosova është në kërkim të tij që nga viti 2022, kur është lëshuar një urdhër-arrest për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si Brezovica, dhe po ashtu emri i tij ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.

Si ndodhi takimi në Rashkë dhe cilat ishin përfundimet?

Në emër të Listës Serbe, Radoiçiq u takua me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova qendrore, të cilët në fillim të janarit protestuan kundër punësimit jotransparent, partiak dhe familjar në institucionet serbe që veprojnë në Kosovë, si dhe kundër dyfishimit të pagave të zyrtarëve të Listës Serbe. Organizator i këtij takimi ishte Igor Jovanoviq nga Komuna e Graçanicës.

Njëra prej të pranishmëve në takimin e 20 janarit ishte Lilana Rajkoviq, e cila, e është zhvendosur nga Ferizaj dhe tani jeton në Llapna Sellë të Graçanicës, që gjendet në afërsi të Prishtinës.

Ajo beson se në një të ardhme të afërt do të punësohet në një nga institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë, sepse siç thotë ajo, “Radoiçiq ka thënë se punësimi do të bëhet në bazë të kartës sociale”.

Karta sociale në Serbi është një regjistrim unik, i centralizuar në formë elektronike që përmban të dhëna për statusin social dhe ekonomik të individëve dhe personave të lidhur me ta.

Rajkoviq beson se ajo bën pjesë në kategorinë e personave të cenueshëm social sepse është nënë e vetme e dy fëmijëve dhe prej vitesh punon në një kompani private.

Ajo thotë se tashmë pret të ketë një “punë shtetërore”.

“Prioriteti im është punësimi në institucionet shtetërore, ka punë në sektorin privat, por paga është e ulët”, thotë Rajkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Një qëndrim të ngjashëm kanë edhe të tjerët që ishin në takimin me Radoiçiqin. Në kushte anonimiteti, disa prej tyre (identitetet e të cilëve janë të njohur për redaksinë e REL-it) deklarojnë se besojnë se Millan Radoiçiq është “një njeri që pyetet për gjithçka” dhe për këtë besojnë se do të marrin një vend pune.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Listën Serbe lidhur me këto akuza, por deri në publikimin e këtij artikulli nga ky subjekt nuk kanë kthyer përgjigje.

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucionet që veprojnë në sistemin serb, siç janë komunat paralele, Qendra për Punë Sociale, Posta, Agjencia e Punësimit, Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Shëndetësore e të tjera.

Po ashtu, të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunat me shumicë serbe në Kosovë punojnë me sistemin serb dhe punonjësit e atyre institucioneve marrin edhe të ashtuquajturin “shtesa të Kosovës” – që është 50 për qind e pagës bazë.

Kush e autorizoi Radoiçiqin të “kontraktojë” punë?

REL i është drejtuar edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe me pyetjen se kush e ka autorizuar Millan Radoiçiqin të “kontraktojë” punë për serbët në jug të Ibrit, por deri në publikimin e këtij teksti, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Politikani opozitar serb, Branimir Stojanoviq, nga Graçanica beson se Radoiçiq ka marrë leje për veprimet e tij nga “dikush nga sistemi serb”, gjë që sipas tij është “fatale për popullin serb në Kosovë”.

“Çdo vendim që nuk është institucional, që nuk është i rregulluar, por përfaqëson vullnetin e një individi, kushdo qoftë ai, nuk është i mirë. Dhe për sa kohë që vendimet merren në këtë mënyrë, nuk do të ketë shpresë që diçka të ndryshojë rrënjësisht”, thotë Stojanoviq, dhe shton se në këtë mënyrë “injorohen interesat jetike të serbëve në Kosovë”.

A po “mbytet” zëri i serbëve?

Stojanoviq thotë gjithashtu se njerëzit janë të pakënaqur me rezultatin e atij takimi sepse ajo që ata përjetuan ishte “një lloj qortimi se pse kishin protestuar”.

Një gjë të tillë REL nuk ka mundur ta konfirmojë me personat me të cilët ka biseduar, të cilët morën pjesë në takimin me Radoiçiqin.

Stojanoviq, përndryshe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës në Qeverinë e Isa Mustafës dhe ish-kryetari i komunës së Graçanicës në sistemin e Kosovës, beson se shumica kanë shkuar në takimin me Radoiçiqin për shkak se nuk ishin të punësuar dhe jo për shkak të mënyrës së rekrutimit në institucionet serbe, ashtu siç pretendohet.

Ai po ashtu pretendon se organizatori i protestës në fakt është aktivist i Listës Serbe dhe se e gjithë historia është “përllogaritje brenda klaneve, sepse shumë prej tyre janë mashtruar”.

“Para zgjedhjeve [lokale në Kosovë, të mbajtura në tetor të vitit 2021] atyre u ishin premtuar punë të ndryshme dhe pastaj sigurisht që nuk i kanë realizuar ato premtime”, thotë Stojanoviq dhe shton se shumica e protestave organizohen për përfitime personale dhe jo për “përfitim të përgjithshëm social”.

Përgjigja e organizatorëve të protestës

Organizatori i protestës, Igor Jovanoviq, nuk e mohon se është aktivist i Listës Serbe, por thekson se në asnjë moment nuk ka përfaqësuar interesat e kësaj partie e as të individëve, por “të të gjithë atyre që janë të cenuar”.

Ai thekson se takimi me Millan Radoiçiqin ka qenë “cilësor, i drejtpërdrejtë dhe pa asnjë procedurë përgatitore”.

“Njerëzit e pakënaqur e kanë përkrahur iniciativën time që në të ardhmen punësimi do të jetë ekskluzivisht në bazë të kartës sociale. Gjatë kësaj jave do të shpallim publikisht se kur do të fillojë regjistrimi në ambientet e autoritetit të përkohshëm të Prishtinës, për të përcaktuar statusin social”, thotë Jovanoviq për REL-in.

Ai thotë se do të marrë pjesë në krijimin e kartës sociale, pasi ishte iniciator i protestës së qytetarëve të pakënaqur.

Protestat e mëparshme

Kjo nuk është hera e parë që pjesëtarët e komunitetit serb në jug të Ibrit kanë protestuar kundër pagave të dyfishta dhe punësimit partiak apo familjar.

Protesta pothuajse të ngjashme u mbajtën në Graçanicë afër Prishtinës, Pasjan dhe Viti afër Gjilanit si dhe në Osojan afër Pejës. Mirëpo, pas disa kohësh, pjesëmarrësit e protestave u tërhoqën me arsyetimin se nga udhëheqësi i Listës Serbe apo nga “përfaqësuesit e shtetit të Serbisë” u ishte premtuar se do t’u zgjidheshin problemet.

Mirëpo, publikisht nuk u tha se kush konkretisht po “negocionte” me qytetarët e pakënaqur.

Ndërkohë, disa individë u punësuan në sistemin serb si dhe ka edhe nga ata që jo, por nuk e ngrenë më zërin.

(REL)

Comment

*