Rama: As nuk isha hero, as nuk jam tradhtar. Ballkani i Hapur është interes strategjik i kombit shqiptar

Tiranë, 20 dhjetor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me pezm në Facebook ndaj kosovares Ilirjana Gashi, e cila ka reaguar ashpër kundër vendosjes së flamurit të Serbisë në Tiranë, në shenjë mirëseardhjeje ndaj Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Rama, në përgjigjen e tij, ka thënë se ai ishte shpallur hero kur në Beograd kishte kërkuar që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, ndërsa tani shpallet tradhtar.

Ai ka thënë se as nuk ka qenë hero atëherë dhe as nuk është tradhtar tani.

“Thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë”, ka theksuar Rama.

Por, ai e ka mbrojtur fuqishëm projektin “Ballkani i Hapur”, të cilin e ka cilësuar “interes strategjik i Shqipërisë dhe i krejt kombit shqiptar”.

“Ilirjana Gashi e vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia; e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare“, ka shkruar Rama.

Kështu i është përgjigjur Rama komentueses kosovare, e cila e ka akuzuar se po ndihmon krijimin e Serbisë së Madhe.

“Atë që s;e arritën asnjë mbretni serbe po e realizon RAMA”, ka theksuar ajo.

“Diten qe Rama do e vizitonte Beogradin, serbet e dogjen flamurin e Shqiperise, ne mes te Beogradit, edhe nuk pati asnje reagim nga Tirana zyrtare. Sot ngritet flamuri i krimeve, masakrave, perdhunimeve, debimeve e çka jo tjeter. Kjo eshte kulmi. Sipas te gjitha gjasave, po ndodh Serbia e madhe, e cila po shtrihet deri ne Adriatik. Ate qe s’e arriten asnje mbretni serbe, po e realizon RAMA. Pse hesht presidenti i Shqiperise? Pse heshtin populli i Shqiperise? Sot eshte dita e TURPIT e qeverise Rama, e gjithe Shqiperise”, ka shkruar Ilirjana Gashi, në reagimin e saj në Facebook.

(r.m.)