Rama: Bashkimi Kosovë-Shqipëri, më i mundshëm nëse mbeten jashtë BE-së

Tiranë, 29 tetor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bashkimi me Kosovën ka më shumë mundësi të ndodhë nëse mbesin pa u anëtarësuar në Bashkimin Evropian se sa pasi të anëtarësohen.

“Lojëra të tilla mendore janë shumë më të mundshme jashtë BE-së se sa brenda saj”, ka deklaruar Rama, në një intervistë për gazetën gjermane “Merkur.de”, duke u përgjigjur në pyetjen rreth idesë për bashkimin e Shqipërisë e Kosovës apo krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Duke folur për tensionet në Ballkanin Perëndimor, Rama ka thënë se konfliktet e mundshme në këtë rajon do të evitoheshin në rast të anëtarësimit në BE. Ai e ka marrë si shembull Irlandën.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës nuk krahasohen me tensionet e kohëve të mëparshme. Madje faktikisht sot kundërshtarët e dikurshëm duan të anëtarësohen në BE, të gjithë së bashku. Konfliket ushtarake lindin kur shtetet janë të izoluara dhe jo kur janë në një bashkësi. Kujtoni zhvillimet pozitive që sollën marrëdhëniet franko-gjermane apo edhe rastin e Irlandës. Rreziku që BE-ja të importojë konflikt brenda shtëpisë është thuajse zero”.

Rama ka thënë se edhe BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, edhe për hir të sigurisë së saj, duke aluduar në ndikimin e mundshëm të Rusisë dhe të Kinës në rajon.

(r.m.)

Comment

*