Rama: Lugina e Preshevës me diplomaci, harrohet se në Serbi jetojnë shqiptarë

Kryeministri Edi Rama në një takim me studentë të Universitetit të Prishtinës u ndal te të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai tha se për të zgjidhur këto çështje që lidhen me shqiptarët, një pakicë jo e vogël në Serbi, duhet të përdoret fuqia e diplomacisë.

“Të falënderoj për pyetjen, pasi na ndihmon që të korrnizojmë debatin, jo thjesht te çështja e Luginës së Preshevës. Ata që banojnë në Luginë apo ata që janë të lidhur me të, kur flitet për marrëdhënies mes Serbisë-Shqipërisë dhe Kosovës, për të zhvilluar një marrëdhënie konstruktive, harrohet se në Serbi jetojnë shqiptarë.

Bëhet fjalë për një pakicë të rëndësishme kombëtare, që kanë nevojë për mbështetje të dyfishtë, nga jashtë, nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, por dhe një mbështetje nga brenda e çuarjes përpara e emrave që iu interesojnë. Kjo është e lehtë ta thuash dhe shumë më e vështirë që ta bësh.

Mospasja parasysh e këtij fakti nuk na ndihmon se si mund t’i avancojmë liritë dhe të drejtat e atyre që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Mekanizmi diplomatik që ka të bëjë te marrëdhëniet mes nesh dhe Serbisë është i patjetërsueshëm. Nga moskonsiderimi i tij, vjen humbja e një prej elementeve.

Ne i kemi bërë disa hapa. Jemi në kontakt dhe i keni bërë disa përpjekje lehtësuese për komunikimin mes tyre.

E drejta është se në Luginë ka një jetë politike jo të varfër dhe ka njerëz me vullnet, me ambicie që duan të shfrytëzojnë politikën për të përmirësuar kushtet e jetës atje.

Ka shumë për të bërë, por një gjë jam i bindur që sado të ndihmojmë së jashtmi, edhe për shkak të mjeteve të kufizuara financiare që kemi, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova, është me rëndësi që t’i mbështesim ata edhe së brendshmi. Ne do të punojmë në të gjitha këto plane, asnjë nga ato nuk mjafton.

Duhet të përdorim sa të jetë e mundur fuqinë e diplomacisë”, tha Rama.