Rama e humbet qetësinë, pas akuzave për rritjen e çmimit të energjisë

Tiranë, 7 tetor 2021 – Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit iu përgjigj akuzave të opozitës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe hidrokarbureve.

Me tone të larta Rama u shpreh se çmimet e mallrave në ekonominë e centralizuar dikur vendoseshin nga shteti, ndërkohë që sot, në ekonominë e hapur, çmimet i vendos tregu.

Rama deklaroi se nëse dikush do të dëgjonte retorikën e opozitës në Kuvend dhe mos t‘i njihte si personazhe politikë do të mendonte se ishin mbeturina të Partisë së Punës dhe jo përfaqësues të një parti të djathtë pro tregut të lirë.

Gjithashtu kryeministri theksoi se çmimi i naftës dhe benzinës sot është më lirë se në vitin 2013, kur Partia Demokratike u largua nga pushteti.

“Të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër është tipar i mendjelehtësisë. U bë 8 vjet që përsëritni të njëjtën gjë dhe merrni të njëjtin rezultat dhe duke përsëritur po prapë të njëjtën gjë, do të merrni prapë të njëjtin rezultat. Aty ju kam gjetur, aty do ju lë po vazhdoni të përsërisni të njëjtën gjë dhe t‘i merrni shqiptarët për budallenj.

Aq më pak kur jeni në një garë kush është kukulla e kush është pengu, e kush s‘është as kukull as peng.

Faktet janë fakte, ju mund t‘i thoni shqiptarëve çfarë të doni, por urtësia ka një barometër, ditën e gjykimit. Populli po ju thotë për të pestën herë që këta nuk janë më të mirët, por ju ta harroni. Dje në samitin e Ballkanit Perëndimor kryefjalën e diskutimit kishin çfarë mund të bëjmë së bashku për të përballuar krizën e energjisë ashtu siç përballuam së bashku krizën e pandemisë.

Ju të dyja palët si pengu si pengmarrësi i thoni shqiptarëve që Shqipëria nuk ka lidhje me tregjet ndërkombëtare. Kur qeverisnit ju dilnit të blinit në tregjet ndërkombëtare? Ju i thoni shqiptarëve që fatura e energjisë është më e larta në rajon, është e pavërtetë. Në sistemin që ne kemi zgjedhur të jetojmë dhe që ju ishit pararoja, kemi nisur të kalojmë nga ekonomia e centralizuar e cila vendoste çmimet në një ekonomi të tregut të lirë. Rritja e çmimit në bursë e çfarëdo lloj malli, nuk pyet se Spanja ka më shumë dhe Shqipëria ka më pak.

Ju partia e qëndrës së djathtë, nëse dikush nuk ju njeh dhe ju shikon të flisni mendon se jeni mbeturina të Partisë së Punës. Nuk është argument as e shara, as e bërtitura nga vendi. Këtu dëgjojmë të shara nga para dhe mbrapa, që nga sharjet mbi atë zonën atje (drejtohet nga lindita Nikolla). Më thoni me gjithë taksën e karbonit, a është më lirë nafta me ditën që ju latë qeverinë. Në vitin 2013  Dieseli ishte 182 lekë benzina 176 lekë. Shkoni merreni tabelën. Sa e blenin shqiptarët kur ju ishit në qeveri dieselin dhe benzinën?” tha Rama.

(Panorama.al)