Rama e Kovaçevski të zhgënjyer me Bashkimin Evropian

Bruksel, 23 qershor 2022 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian, pas përfundimit të samitit të BE-së me vendet e Ballkanjit Perëndimor, që u mbajt të enjten në Bruksel.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Kovaçevski tha se e ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë pranueshëm duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Franca, e cila kryeson presidencën e BE-në deri më 1 korrik, ka disa javë që e mbështet kërkimin e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes midis dy vendeve.

Propozimi francez përmban disa pika, ndër to: Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Në konferencën pas samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kovaçevski tha se ka shprehur pakënaqësinë me dinamikën e negociatave të pranimit.

“Çfarë ka ndodhur tani është një goditje ndaj kredibilitetit të BE-së”, tha ai.

Pakënaqësinë me mos përparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai.

Ai tha se nuk ka shpresuar në shumë progres në këtë çështje para ardhjes në samit.

“Ne kemi shumë për të bërë. Derisa ne vazhdojmë në rrugën tonë evropiane shpresojmë se në shekullin e ardhshëm do të jemi anëtarë”, tha Rama.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli lidhur me këtë çështje në konferencë të përbashkët me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Këta të tre janë edhe iniciatorët e Ballkanit të Hapur, që synon bashkëpunim ekonomik në mes të tri vendeve.

Presidenti Vuçiq tha se në samit ka shprehur mbështetjen e tij për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku krerët e 27 shteteve evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor mbi sfidat me të cilat përballen së bashku, veçanërisht pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Të enjten pasdite krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

(REL)