Rama: “E refuzoj kategorikisht gjuhën e përdorur nga ambasadorja Kim”

Tiranë, 3 tetor 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kareaguar ashpër ndaj një deklarate të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri,Yuri Kim, lidhur me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, duke folur për rrezikun që mund të shkaktojë amnistia fiskale që synon ta bëjë Rama, ka thënë se liderët e Shqipërisë duhet të zgjedhin nëse Shqipëria duhet të jetë në dorën e qytetarëve apo të kriminelëve.

“E para, unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët. Për sa më takon, si udhëheqës i këtij vendi, e kam bërë zgjedhjen me kohë. E kam bërë zgjedhjen kur kam dalë kundër regjimit komunist, e kam bërë zgjedhjen kur kam hyrë në politikën shqiptare dhe e bëj zgjedhjen time çdo ditë. Nuk kam asnjë dilemë për këtë.

Nga ana tjetër, të akuzosh ‘en block’, nuk i ndihmon fare qytetarët, nuk e ndihmon fare luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, por, përkundrazi, krijon një mjegull të madhe, ku të vetmit përfitues janë kriminelët dhe pastruesit e parave. Për 1% të shqiptarëve që janë të lidhur me botën e krimit, nuk mund të hidhet baltë mbi 99% të tyre, as jashtë dhe as brenda”, është shprehur Rama.

Kryeministri i Shqipërisë promovon me këmbëngulje idenë e tij për amnisti fiskale. Sipas tij, kjo  masë  do të ndikonte në uljen e ekonomisë informale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe disa organizata ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimet se amnistia fiskale do të dëmtojë përpjekjet për luftimin e pastrimit të parave në Shqipëri. Raportet e disaorganizatave ndërkombëtare tërheqin vërejtjen se një pjesë e mirë e parave që futen në Shqipëri e kanë burimin nga aktyivitete kriminale të shqiptarëve, Brenda dhe jashtë vendit.

Disa analistë flasin për “ftohje” të marrëdhënieve midis Kryeministrit Rama dhe ambasadores Yuri Kim.

Rama ka qenë kritik edhe ndaj ambasadorëve të vendeve të BE-së e të Britanisë së Madhe që janë shprehur kundër miratimit të ligjit për aministi fiskale, së paku siç parashihet në draftin fillestar të ligjit të hartuar nga qeveria e Ramës.

Vetë Rama ka thënë projektligji do të pësojë ndryshime gjatë diskutimit publik dhe shqyrtimit në trupat e Kuvendit.

(r.m.)