Rama e viziton Thaçin në Qendrën e Paraburgimit në Hagë

Hagë, 10 maj 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.

Rama ka publikuar në Facebook, një video ku shihet duke hyrë në ndërtesën e Qendrës së Paraburgimit, ku ndodhet Thaçi.

“Hagë – Për vizitë tek Presidenti Thaçi”, ka shkruar ai.

Rama e vizitoi Thaçin pikërisht në ditën e seancës së pare dëgjimore lidhur me akuzat e reja, të përfshira në aktakuzën e plotësuar nga prokurori Jack Smith.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat e reja.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, sepse  ajo është me shumë redaktime”,  u shpreh ai.

Thaçi nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit. Ai mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

(r.m.)