Rama fajësoi deputetët për moszbatimin e vendimit për rritjen e pagave

Tiranë, 5 maj 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi dje në Kukës se projektligji për rritjen e pagave është bllokuar nga deputetët në Kuvend, pasi, sipas tij, ata po kërkojnë tani edhe rritjen e pagës së tyre e të kabinetit qeveritar.

Rama tha se për disa kategori rritja është bërë nga prilli, ndërsa për rritjen e pagave të kategorive tjera duhet të pritet miratimi i ligjit. Sipas tij, ai kërkon që deputetëve dhe qeverisë t’u rriten pagat pasi t’u jenë rritur të gjitha kategorive, por deputetët duan atyre t’u rriten pagat tani dhe prandaj procesi i miratimit të ligji është bllokuar.

“Thonë, shtyu Edi Rama rritjen e pagave. Nuk kam shtyrë gjë fare. Ne pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të sigurisë janë rritur dhe ata i marrin tani të prillit në fillim të majit. E dyta, unë kam pasur debat, se për rritjen e pagave të tjera duhet të bëhet ligji në parlament. Unë kam pasur një debat, ligji është në parlament. Qeverisë dhe deputetëve duhet t’u rriten pagat të fundit fare, domethënë vitin tjetër, kur të mbarojë rritja për të gjithë, edhe deputetëve, edhe qeverisë do t’u rriten pagat. Deputetët duan t’i rrisin tani. Është bllokuar për disa javë kjo punë, sepse duhet të më bindin mua. Pastaj nuk e di çfarë do ndodhë, por kjo është arsyeja. Nuk kas arsye tjetër”, tha Rama, citon Balkanweb.

Ai tha se kategoritë të cilave u janë rritur pagat do t’I marrin ato me  rritje, në nëmnyrë retroactive.

“Ama të gjithë duhet ta dinë se edhe nëse rritja e pagave bëhet në maj, edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, të gjithë pagat do t’i marrin me gjithë prillin dhe me gjithë majin. Këtë po e them këtu, merreni regjistrojeni. Kështu që asnjëri nuk duhet të ketë asnjë shqetësim. Thjesht halli është që deputetët duan të rrisin pagat e veta tani, unë them jo, deputetët dhe qeveria duhet t’i rrisin në fund, vitin tjetër. Ky është i vetmi problem. Po këtë punë e di Pandi që është në krahun e deputetëve. Safeti thotë rritjani, të shohim. Kjo është arsyeja, s’ka asnjë arsye tjetër”, deklaroi ai.

(r.m.)