Rama i bën thirrje SPAK-ut të hetojë Berishën, opozita e quan PS-në si kulmin e mashtrimit

Tiranë, 9 prill 2022 – Kryeministri i shqipërisë,  Edi Rama, tha se reforma në drejtësi po jep rezultate, por i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) që të hetojë krimet e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili është shpallur person “non grata” nga SHBA.

Ai i bëri këto komente në Kongresin e Partisë Socialiste, ku gjysmën e fjalimit ia kushtoi pritshmërisë së lartë të publikut pas reformës në drejtësi për rezultate kundër krimit dhe korrupsionit.

Rama riaktualizoi vrasjen e 4  personave gjatë protestës së opozitës një dekadë më parë,  kur në krye të qeverisë ishte Berisha, si edhe ngjarje të tjera të rënda gjatë dy mandateve të qeverisjes së zotit Berisha.

“SPAK ka detyrimin të hetojë ish kryeministrin Berisha pas deklaratës së SHBA-ve, mikut dhe aleatit më të madh të Shqipërisë, që e ndalon atë të vizitojë SHBA. Ajo deklaratë e rëndon Shqipërinë, sepse Berisha ka drejtuar Shqipërinë dhe SPAK duhet të vlerësojë qëndron apo nuk qëndron”, theksoi zoti Rama.

Ai theksoi se të akuzuarit nga SPAK për shkeljet me incineratorët, ish ministri Lefter Koka, dhe ish deputeti Alqi Bllako, kanë përgjegjësi personale me drejtësinë, se kushdo tjetër që dyshohet për shkelje ligjore, duhet të marrë vet avokat për t’u mbrojtur nga akuzat penale dhe se PS nuk është zyrë avokatie e askujt.

“Kushdo pjesëtar i familjes socialiste, që shkel në dërrasë të kalbur, duhet të gjejë vet avokatin, sepse Partia Socialiste nuk ofro shërbime avokatie ndaj asnjë zyrtari qendror apo vendor që shkel ligjin” – tha zoti Rama.

Kryeministri Rama tha se ‘reforma në drejtësi po jep rezultate të dukshme, ndërsa SPAK po arreston deputetë e ministra, gjë që në qeverisje të mëparshme as që nuk përfytyrohej’.

Ai u shpreh gjithashtu “për drejtësi proporcionale” dhe renditi disa dënime për krime të papërfillshme në jetën komunitare kundrejt, siç u shpreh ai, shkeljeve të rënda të kryera nga ish ministra të opozitës me fondet publike dhe abuzime që njihen publikisht, por ndaj të cilëve nuk ka akuza penale, duke ngritur kështu sërish çështjen e pandëshkueshmërisë shumëvjecare së politikanëve.

Por, Rama i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë çdo zyrtar dhe ish-zrytar të shtetit që ka rënë ndesh me ligjin ose nuk e justifikon dot pasurinë e vet.

Ish kryeministri Berisha nuk komentoi akuzat e zotit Rama ndaj tij për abuzimet me pushtetin, por e akuzoi Partinë Socialiste se e ka shtrirë korrupsionin në çdo nivel të administratës shtetërore. Në një  postim  në facebook, ai shkroi se PS-ja është shndërruar në “një organizatë kriminale që blen votat, përhap narkotikët, pastron paratë e dhe vjedh ekonominë e vendit”.

Ndërkaq, opozita tha se Kongresi i PS-së ishte kulmi i mashtrimeve dhe dështimeve të qeverisjes 8 vjeçare dhe theksoi se kjo qeveri, të cilën e quajti “qeveri të skandaleve dhe aferave korruptive”, e zhyti popullin shqiptar në varfëri.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, shënoi në FaceBook se propaganda e socialistëve nuk mund të fshehë realitetin e hidhur të varfërisë së shqiptarëve të keqqeverisur.

Sipas tij, kryeministri Rama nuk guxoi të thoshte asnjë fjalë për vjedhjen e miliona eurove të inceneratorëve nga ministrat dhe njerëzit e tij më të afërt, ndërkohë që shqiptarët ikin përditë nga vendi i tyre, ku lulëzon krimi e droga dhe ku nuk i blejnë dot ushqimet e përditshme.

(Sipas Zërit të Amerikës)