Rama jep 100 ditë afat për pastrimin e policisë nga elementë të korruptuar

Tiranë, 8 korrik 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka dhënë drejtuesve të Policisë së Shtetit 100 ditë afat për të goditur të gjithë efektivët që janë të përfshirë në abuzime ose korrupsion.

Gjatë një konference me drejtues të policisë, Rama tha se të gjitha strukturat duhet të angazhohen maksimalisht që të rrisin performancën e tyre përgjatë këtyre 100 ditëve.

Duke e cilësuar një objektiv të palëvizshëm, kreu i qeverisë thotë se duhet forcuar besimi i qytetarëve tek strukturat e policisë.

“Nuk ka arsye që një qytetar e ndalon dhe i kërkon lekë. Që e ndalon dhe në sy të fëmijëve dhe gruas i bën atë presionin mizerabël si pengmarrësit në mes të rrugës. Forca e shembullit tuaj është themeli i kësaj faze të re. Nëse do qëndroni në shembullin tuaj dhe do i ndiqni të gjitha prioritetet tuaja, brenda pak kohe gjithçka do fillojë të lëvizë për të arritur në një nivel të ri.

Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë policinë e shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë dhe asnjë luftë me të panjohur.

Vetëm gjëra që dini t’i bëni mirë, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Në çdo qark, në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë që ka ndëshkueshmëri. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policët rrugorë, shqiponja skifterët dhe çakej që rrijnë si të infiltruar në polici të shkojnë përpara drejtësisë”, tha Rama.

Një tjetër prioritet të cilin kryeministri e ka theksuar, është inkorporimi i mëtejshëm i teknologjisë duke rritur kështu efektshmërinë e strukturave të policisë.

“Prioriteti numër katër i policisë është i drejtuesve vendor që duhet ta realizojnë. Lidhur me avancimin e mëtejshëm të revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit. Policia ka një flotë të re mjetesh, por ka nevojë për monitorim të territorit. Po punojmë intensivisht që të bëjmë monitorimin e rrugëve me kamera që t’i japin policisë një sy 24 orë.

Po ashtu shtrirjen e sistemit të kamerave të trupit dhe pajisjen ose vënien në dispozicion të policisë së shtetit të dronëve super inteligjentë për monitorimin e territorit për të pasur një sy në qiell për çdo rrënjë kanabisi, ndërtim pa leje, cënim pyjesh ose lëvizje mjetesh dhe forcash kriminale ku policia e shtetit është në kërkim, çdo tokë bujqësore e pyll. Edhe këtë ne duhet ta bëjmë dhe tua vëmë në dispozicion”, tha Rama.

(Panorama.al)

Comment

*