Rama: Kosova ka të drejtë ta ushtrojë sovranitetin e saj, Vuçiq të mos i ushqejë grupet e caktuara në veri

Tiranë, 1 gusht 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës tregon për problemet e thella midis Kosovës e Serbisë.

Rama ka thënë se ai i mbështet plotësisht autoritetet e Kosovës dhe I përshëndet ato për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe për letërnjoftimet për 30ditë.

“Ngjarja e ndjeshme pasqyrë e vështirësisë së thellë në këtë marrëdhënie. Ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës bazuar në marrëveshje të dakordësuar mes Kosovës e Serbisë në Bruksel lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është vetëm një e drejtë, por detyrë e institucioneve të Kosovës. Në këtë pikë i mbështes 100 për qind qeverinë dhe autoritetet e Kosovës që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet, ashtu sikundër i përgëzoj autoritetet në Kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen, por për t’i dhënë kohë kohës që të sqarohet çfarë duhet”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, i ka bërë thirrje Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të mos i ushqejë grupet ekstremiste në pjesën veriore të Kosovës.

“I bëj thirrje presidentit të Serbisë të mos ushqejnë grupe të caktuara në veriun e Kosovës që i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje të vlefshme”, ka thënë

Rama e ka shfrytëzuar rastin për të afirmuar edhe një herë nismën “Ballkani i Hapur” dhe i ka bërë thirrje Kosovës t’i bashkohet kësaj nisme.

“Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet ‘Ballkani i Hapur’ dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në ‘Ballkanin e Hapur’. Këto situata tregojnë që ka dy rrugë: rruga e kthimit mbrapa dhe e luftës nga e cila nuk fiton më askush dhe rruga tjetër, e ndërtimit të paqes. Unë jam me të parën dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër”, ka theksuar ai.

Kryeministri Rama i ka bërë këto komente në Tiranë, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez.

Ai ka thënë se me homologun e tij spanjol kanë biseduar edhe për pavarësinë e Kosovës, por vendimi i Spanjës për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm.

“Kemi folur edhe për Kosovën. Dihet që Spanja ka një pozicion tradicionalisht të palëvizshëm, për arsye që lidhem me vetë Spanjën, që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi me shqiptarët në Kosovë”, ka thënë Rama.

Ndërkaq, Kryeministri spanjol ka thënë se qëndrimi i Spanjës për njohjen e Kosovës nuk ndryshon sepse ajo mendon se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, prandaj nuk mund të jemi në favor të njohjes. Këtë e themi me gjithë respektin për popullin shqiptar. Është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare. Por, kjo nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Ky është pozicioni i Qeverisë së Spanjës. Edhe miqtë e mirë mund të kenë kontradikta”, ka thënë Sanchez.

(Sipas BalkanWeb dhe Top-Channel.tv)