Rama: Laçi është bërë qytet i ri, por duhet edhe mendësi e re

Rindërtimi i Laçit ka përfshirë pjesën më të madhe të qytetit që u godit rëndë nga tragjedia e tërmetit.

Në disa kantiere të ngritura paralelisht, puna kolosale po vijon prej muajsh dhe ndërtimet e reja janë drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç ku inspektoi ne terren kantieret  mbresëlënëse të disa prej veprave, një nga të cilat është godina e re e Bashkisë.

“Besoj se deri në fund të vitit do të mbarojë, por përveçse do të jetë Bashkia e Kurbinit, do të jenë dhe institucione të tjera që do të ofrojnë shërbime për komunitetin. Është shume moderne,” – u shpreh Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara shpjegoi projekti, i cili parasheh një ndërtesë të organizuar me tre hyrje kryesore, me salla të konferencave dhe takimeve, si dhe hapësirat për mbledhjet e Këshillit.

Në ndërkohë blloqet e pallateve janë thuajse përfunduar dhe puna vijon për kompletimin e shesheve të përbashkëta dhe hapësirave të gjelbra.

“Apartamentet e gjithë bllokut të pallateve kanë mbaruar. Po vijohet vetëm me rikualifikimin e lagjes dhe me instruktuarën. Ka filluar rehabilitimi i sheshit kryesor të lagjes. Do të ketë park për fëmijët, hapësira të gjelbra, hapësira të përbashkëta për të kaluar kohën. Hapësira e gjelbër është bërë me sistem automatik vaditjeje dhe ndriçimi,” – detajoi kryebashkiakia Cara.

”Ky është bërë qytet i ri komplet. Por duhet dhe mendësia e re bashkë me qytetin që të kujdesen. Sa ç’ke bërë ti për këtë qytet, s’ka bërë asnjë kryebashkiak tjetër për qytetin e vet”-tha kryeministri.

Ndërsa sa i përket procesit të ndarjes së apartamenteve, Ministri për Rindërtimin Ahmetaj shpjegoi se do të bëhet me short, duke proceduar sipas ligjeve përkatëse me prioritet familjet në kategori të caktuara.

“Kemi procesin e shortimit të ndarjes së apartamenteve për familjet. Do ecim në bazë të ligjit me familjet me prioritet, që janë familjet me ndihmë ekonomike, pastaj rreshtimi sipas ligjit, i familjeve me nëna kryefamiljare, familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës. Pastaj do të ketë shortim publik për ndarjen e apartamenteve,” – u shpreh Ahmetaj.

Banesat dhe blloqet e reja që po ndërtohen do të jenë të lidhura me ujësjellësin e ri, i cili do të sigurojë ujë 24 orë pa ndërprerje për banorët.

Ndërkohë, bashke me lagjen kanë filluar punimet edhe për shkollën që i shtohet kësaj lagjeje, ku fëmijët do të mundësinë të përdorin edhe ambientet komunitare të lagjes së re.