Rama mbron “Ballkanin e Hapur” pavarësisht çka bën Serbia në politikë me Rusinë

Kryeministri Edi Rama tha në konferencë për gazetarë që nëse Lufta e Tretë Botërore shpërthen, nuk mund të parashihet apo të shmanget

Knid Denion Ndrenika

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk ka pse trembet nga agresoni rus në Ukrainë pasi është pjesë e NATO-s apo siç theksoi është me më të fortët.

Pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, zoti Rama theksoi në konferencë për gazetarë se Shqipëria planikon rritjen e fuqizimit të ushtrisë dhe se po ndërton në Kuçovë pranë Beratit, Bazën Ajrore të NATO-s.

Sakaq, zoti Rama pranoi në Ukrainë ka luftë të vërtetë dhe se nuk ka pse spekullohet ndonjë formë e ndërhyrjes ruse në Ballkan.

Ai u pyet për sanksione ndaj Rusisë siç bëri Kosova:

“Shqipëria është pjesë e kësaj Aleance dhe përqafon të gjitha vendimet.Të njejtën gjë bëjnë edhe të gjitha vendet që janë të lidhura me Aleancën pavarësisht se nuk janë anëtare, siç është Kosova. Shqipëria ka një plan fuqizimi të ushtrisë. Do të kemi avionët e NATO-s. Nuk ka shqetësime! Ne jemi me më të fortët! Nëqoftëse Lufta e Tretë Botërore shpërthen, as nuk e parashikojmë dot dhe as nuk e evitojmë dot nëse të tjerët e nisin”.

Kryeministri rimbrojti “Ballkanin e Hapur” pavarësisht çka bën Serbia në politikë me Rusinë:

“Nuk kemi pritur që të sulmohet Ukraina nga Rusia që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë. Sa i pëket “Ballkanit të Hapur”, kjo është një çështje që pret”.

Shqipëria ndërkaq ka vëmendje për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë në Ukrainë diasporë, emigrantë apo të punësuar dhe është e gatshme të strehojë ukrainasit që largohen nga lufta.