Rama në “CNN”: Kemi bërë çdo gjë për afganët, por del diçka dhe na thyen shpresat, jo bisedime me talebanët

Në një intervistë për ‘CNN’ me gazetaren Isa Soares, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një lojë të talebanëve pengesën e qytetarëve afganë për t’u evakuuar. Ai tha se kemi bërë dhe po bëjmë çdo gjë për personat që kanë ardhur dhe ata që do të vijnë por del diçka dhe na thyen shpresat.

“Po dëgjojmë edhe ne të njëjtën gjë. Prej më shumë se 1 jave nisëm të bashkëpunonim me miqtë tanë që janë angazhuar në këtë operacion dhe çdo ditë del diçka që thyen shpresat. Nuk mund të them më shumë për këtë .Ndoshta është një lojë e talebanëve. Nuk mund të spekuloj për këtë. Mund të them se kemi bërë për këta njerëz ato që kemi bërë për ata që kanë arritur dhe presim që të vijnë. Ky aeroport me sa duket është problematik. Nuk do të habitesha që kjo të ishte një lojë e talebanëve. Lajmi i fundit që mora është që tashmë e kanë ndryshuar fjalën duke thënë se do të lejojnë vetëm njerëzit me pasaporta”- tha Rama.

Rama ka mohuar të jetë në një bisedim me talebanët për zgjidhjen e kësaj situate.

“Jo, ne nuk kemi hyrë në asnjë lloj bisede me talebanët dhe shpresojmë se nuk do të hyjmë. Unë besoj që kjo është qeveria amerikane. Ajo që po bëjmë është të jemi në kontakt me miqtë në SHBA që janë të angazhuar në këtë nismë njerëzore. Është shqetësuese që qytetarët amerikanë nuk mund të dalin nga aeroporti”- tha ai.

 

(BalkanWeb)

 

Comment

*