Rama: Për inceneratorët janë paguar 55.3 milion euro, jo aq sa pretendohet

Tiranë, 23 shkurt 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,dëshmoi të mërkurën në Komisionin  hetimor parlamentar lidhur me aferën e inceneratorëve.

Gjatë dëshmisë së tij, Rama u përplas disa herë me anëtarë të komisionit nga opozita, sidomos me kryetaren Jorida Tabaku, të cilën e akuzoi se po e tejkalonte detyrën që i takon me ligj.

“Zonjë kur unë kam ardhur në këtë komision jam njohur me detyrimet e mia si dëshmitar. Komisioni nuk mund të ngre akuza penale dhe as nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatës. Këtë e keni bërë në mënyrë shumë të përsëritur dhe në këtë komision është përsëritur akuza e grupit të strukturuar kriminal”, u shpreh ai.

Rama e hodhi poshtë edhe kualifikimin e çështjes së kontratave për ngritjen e inceneratorëve në Tiranë, në Elbasan dhe në Fier si “aferë”.

“Ju sapo e shkelët ligjin se ju folët për ‘aferë’.  Nuk kam ardhur këtu për të zbardhur ndonjë aferë. Afera është në opinionin tuaj. Këtu nuk mund ta shprehni. Unë nuk kam ardhur këtu për asnjë aferë”, tha Rama.

Kryeministri Rama e kontestoi edhe emërtimin “inceneratorë”.

“Ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë, por impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë. Inceneratorët janë impiante të viteve 70-80 që e digjnin komplet produktin dhe nuk prodhonin energji”, tha ai.

Rama tha se incenerimi është komponentë e këtij procesi, por është “komponenti i parafundit”.

Kryeministrit Rama iu soll në kujtesë se Bashkimi Evropian, në tre progres-raportet e fundit, e ka kritikuar ndërtimin e inceneratorëve, të cilën e ka vlerësuar si “alternativën më pak të preferuar për trajtimin e mbetjeve”.

Duke folur për këtë, Rama tha se politika e BE-së është që t’i grupojë mbetjet sipas materialit dhe t’i riciklojë masivisht, ndërsa Shqipëria ka zgjedhur një mënyrë tjetër. Sipas tij, kjo mënyrë e trajtimit të mbetjeve, pra përpunimi i mbetjeve dhe prodhimi i energjisë prej tyre, zbatohet edhe në vende evropiane, si Suedia dhe Danimarka.

Rama tha se është krenar për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

“Financimi për inceneratorët është pjesë e planit për të mbuluar gjithë Shqipërinë me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve”, u shpreh ai.

Rama e kontestoi edhe shumën e investimeve për ndërtimin e tre inceneratorëve. Ai tha se për ndërtimin e këtyre impianteve janë paguar 55.3 milion euro nga buxheti i shtetit dhe jo aq sa pretendon opozita.

“Buxheti i shtetit ka paguar 30.6 milion për Elbasanit, ka pasur 24.7 për Fierin. Bëjnë 55.3 mln. Këtu mbaron puna e buxhetit për këto investime. Ku janë këto 100 milion për Tiranën? Ku janë dokumentet? Duhet të kemi të njëjtat fakte”, u shpreh ai.

Sipas Ramws, inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit janë të financuar nga buxheti i shtetit, ndërsa ai i Tiranës nuk wshtw ndwrtuar me para tw shtetit.

“Impianti i Tiranës ndërtohet 100 pwr qind me paratë e investitorit”, theksoi Rama.

Ai tha se shifra prej 100 milion eurosh është “një fantazi” e kryetares së Komisionit Hetimor.

“Një nga arsyet pse kam ndjekur këtë komision me shumë interes, është të gjejmë se ku janë, nga kanë dalë ato 430 mln euro. Këto 100 mln euro të paguara nga shteti është një fantazi e huaja”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama u pyet edhe për relacionet e tij me ish-ministrin Lefter Koka, i cili akuzohet lidhur me aferën e inceneratorit të Elbasanit. Ai tha se z. Koka e ka njohur si ministër të Mjedisit dhe jo si pronar apo si përfitues të kontratave pët inceneratorët dhe shtoi se ish-ministri Kosova është i akuzuar për korrupsion që ka kryer individualisht dhe jo për ndonjë vendim tw qeverisw.

“Ish-ministri nuk është i akuzuar për ndonjë vendim qeverie, për ndonjë mbledhje qeverie, as për ndonjë aferë të madhe qeverie, por është nwn akuzë për korrupsion qw ai ka kryer individualisht me palën tjetër”, tha Rama.

(Sipas Euronews.al)