Rama për mediet spanjolle: Brenda javës mbërrijnë 1 mijë afganë në Shqipëri

Ditën e sotme pritet të vijë grupi i parë i azilantëve në vendin tonë në Aeroportin e Rinasit.

Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për mediet spanjolle ka bërë me dije se gjatë javës pritet që në vendin tonë të mbërrijnë rreth 1000 personash.

“Ne e morëm këtë vendim sepse nuk mund të qëndronim të palëvizshëm përballë rrezikut të madh dhe dëshpërimit të atyre që po përpiqen të ikin” nga Afganistani, tha kryeministri Edi Rama, në një intervistë telefonike me El Periódico.

Grupi i parë që do të mbërrijë, shpjegoi ai, “do të jetë rreth 1.000”.

Ato janë kryesisht “aktiviste, gra, gazetare, edukatore dhe njerëz që kanë punuar për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara”.

Kryeministri  shqiptar gjithashtu thekson se ai nuk ka kërkuar “asgjë në këmbim” nga SHBA për bashkëpunimin e saj “pavarësisht faktit se shumë thanë se ishte koha për ta bërë këtë”, shkruan media spanjolle, raportoi Ora News.

Kurse, shqiptarja.com citoi zotin Rama online :”Do vijnë rreth 1 mijë këtë javë. Ne e morëm këtë vendim sepse nuk mund të qëndronim të palëvizshëm përballë rrezikut të madh dhe dëshpërimit të atyre që po përpiqen të ikin. Është një mesazh solidariteti që ne duhet t’u përcjellim fëmijëve tanë. Azilkërkuesit afganë do të fillojnë të mbërrijnë në Shqipëri këtë javë nëpërmjet fluturimeve të operuara nga SHBA”.

Sipas tij, “vijnë njerëz që kanë punuar për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Ato do të qëndrojnë  për disa muaj, ose ndoshta më shumë, koha e nevojshme për të trajtuar kërkesën e tyre për azil në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, ata do të vendosen në “shtëpi ose hotele të caktuara nga Qeveria” dhe jo në kampe për emigrantë, një formë pritjeje “çnjerëzore”.

“Nuk kemi kërkuar asgjë në këmbim nga SHBA-ja për bashkëpunimin, ndonëse shumë thanë se ishte koha për ta bërë”, vijoi Rama., sipas “shqiptarja.com”.