Rama për të arrestuarit në Gramsh: Qesharake të akuzohen për spiunazh

Tiranë, 26 gusht 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për arrestimin e dy rusëve dhe një ukrainasi pranë uzinës së armëve në Gramsh, të cilët janë ndaluar si të dyshuar për spiunazh.

Rama I ka cilësuar qesharake akuzat se bëhet fjalë për spiunazh, duke theksuar se është me rëndësi të zbulohet qëllimi i vërtetë që fshihet pas akteve të këtyre shtetasve të huaj.

“Nuk kam pasur mundësi të shprehem për këtë edhe pse ministri i Mbrojtjes, me ministrin e Brendshëm bënë shpjegimin e nevojshëm. Por, më lejoni t’ju them se mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë të veçantë, ato nuk janë fabrika që prodhojnë armë, por karakatina të deklasifikuara si objekte të rëndësisë së veçantë në 2012-ën dhe faktikisht kanë statuset e SHPK-ve që janë të falimentuara dhe që janë deri në pikën kur, për shkak se kanë disa roje aty për të mbrojtur atë perimetër nga zbatimet, etj. Të thuash që bëhet spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunikimit, qesharake. Ajo që duhet të na shqetësonte është se çfarë qëllimesh kanë këta persona. Por, një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë sportive, që duket, ‘aman hajde më kapni’, është qesharake. I takon hetimit të nxjerrë më shumë, ku është qëllimi i vërtetë”, ka thënë Rama.

“Thirrje të urrejtësve profesionistë për rrëzimin e ngrehinës së sigurisë kombëtare ndërkohë që duhet të shohim nga hetimi se ku është qëllimi i vërtetë. A jeni në vete apo jo nuk lidhje kjo me objektin. Në kohën kur flitej për predha e raketa supersonike, të flasësh për cenim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa personazhe të dyshimtë…! Po, është e vërtetë, me aparat duke fotografuar, është qesharake. Pra, këta persona që, për fat të mirë, u ndaluan nga rojet që bënë detyrën e tyre, janë persona të dyshuar për spiunazh. Kjo është e qartë. Por, çfarë fshihet pas kësaj që mori mendjen e gjithë dynjasë dhe me ndihmën tuaj, flas për reportazhe që flisnin për C4. Pyetja është se çfarë fshihet pas gjithë këtij spektakli që u dha me ndihmën e gjithë kronikanëve dhe, jo me pagesë madje, u vutë në shërbim për të krijuar gjithë këtë zhurmë të madhe”, ka thënë Rama, citon BalkanWeb.

(r.m.)