Rama premton rritje pagash për të gjithë mësuesit

Tiranë, 13 nëntor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në prezantimin e buxhetit të Ministrisë së Arsimit për vitin 2022.

Në fjalën e tij, Rama ka thënë se me këtë buxhet është planifikuar për rritje pagash për të gjithë mësuesit.

“Dëshirojmë që të ndajmë me ju disa aspekte të buxhetit të ri të Ministrisë së Arsimit. Përtej buxhetit si shifra, përtej projeksioneve, që të ndajmë së bashku sfidat që kemi, qoftë në funksion të këtij mandati, qoftë në funksion të përmbushjes së objektivave, dua të theksoj se, së pari, në projekt-buxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit. Projeksioni i yni i mandatit të tretë është që pagat të rriten pa diskutim edhe 32 për qind, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes së tyre 40 për qind”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se qeveria e tij, në mandatin e tretë, do  t’i realizojë, siç është shprehur, “objektivat maksimale”, pavarësisht prej vështirësive e sfidave. 

“Tanimë jemi të vetëdijshëm se sa shumë e impaktojnë jetën tonë dhe se sa shumë ndërhyrjen në planet tona ngjarje që imponojnë ndryshim rrënjësor të tyre. Patëm një tërmet jashtëzakonisht të forte, në aspektin e impaktit të familjeve të prekura dhe për buxhetin e vendit, jemi ende në kushtet e një pandemie që pati dhe ka akoma ndikimin e vet, por ne do të vazhdojmë të synojmë objektivat maksimale”, është shprehur ai.

“Nëse ky vit mbyllet përsëri me një rritje pagash për ju dhe nëse sot mesatarja bruto dhe paga neto e mësuesve është më e lartë. Edhe vitin e ardhshëm do të jetë i njëjtë dhe çdo vit tjetër. Thënë të gjitha këto dhe të marrë parasysh se tani më nuk e diskuton njeri se është hedhur një bazë e fortë në funksion të mësuesve nga ndërhyrjet e jashtme, nga politika, forca e ryshfetit që ka qenë një konstante e pa ndryshme për shumë vite, deri kur është vendosur dhe konsultuar sistemi i ri dhe i rekrutimit të mësuesve. Që mësuesit mos të spostohen sipas tekave apo dëshirave të lidhura me këto fenomene dhe duke iu dhënë atyre një garanci të plotë se vendi i tyre i punës bazohet te merita dhe jo te bindjet e tyre apo lidhjet e tyre farefisnore. Tani që është vënë dhe një bazë e mirë dhe për tekstet, pavarësisht faktit se ka nevojë për qëmtime dhe korrigjime, kemi nevoje që ta shohim me sy kritik veten”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se në buxhetin e shtetit do të ketë një fond që do të shkojë për problematika të ndryshme në shkolla që lidhen mes orës së mësimit dhe shtëpisë. Ai ka folur edhe për një plan kombëtar për stimulimin e nxënësve qëmerren me arte dhe mesporte.

“Kemi vendosur për herë të parë në buxhetin e shtetit një financim të konsiderueshëm për të stimuluar shkollat, nxënësit, mësuesit e prindërit që me këtë pjesë të buxhetit të fillojnë të adresohen boshllëqet mes orës së mësimit dhe shtëpisë, duke u dhënë mundësi nxënësve mësim për arte apo dhe për sporte. Kjo kërkon një plan kombëtar për të cilin po punohet. Do të jetë i gatshëm për drejtoritë e shkollave në pranverë. Buxheti dhe financimi i vendosur për këtë program do të fillojë të shfrytëzohet menjëherë. Kemi raste inkurajuese të shkollave që e bëjnë këtë gjë. Nxënësit në vend që t’ia lënë boshllëkut që t’i ofrojë rrugë të mbrapshta, t’ia ofrojmë ne shtigje përmes sportit, apo arteve të ndryshme”, ka theksuar Rama.

(r.m.)