Rama: Retorika nacionaliste e Berishës cënon marrëdhëniet me SHBA-në

PS mblodhi Asamblenë Kombëtare – Kryetari Edi Rama tha se PS ka plan afrimi konkret mes Shqipërisë dhe Kosovës – Sipas zotit kryesocialistit, kryeministri “kapet pas fantazmës së nacionlizmit primitiv ballkanik”

 

Denion Ndrenika

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kritikoi kryeministrin Sali Berisha se për interesa personale dhe zgjedhore, me retorikë nacionaliste dëmton shqiptarët, rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zoti Rama deklaroi se partia e tij ka plan të qartë të afrimit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë me Kosovën. Kryetari socialist opozitar Rama kritikoi kryeministrin Sali Berisha se për interesa personale dhe zgjedhore, me retorikën nacionaliste dëmton shqiptarët, rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryesocialisti foli në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë. Kritikat e zotit Rama për kryeministrin mbështeten në atë që e quan “regjistër të pluhurosur të retorikës së vjetër ballkanike”: “Ne socialistët kemi një plan të shpallur për të afruar më tutje shqiptarët në rajon, duke afruar Shqipërinë me Kosovën. Kreu i kësaj qeverie po rrezikon ta tjetërsojë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, duke hapur regjistrin e pluhurosur të retorikës së vjetër ballkanike, provokative e kundërproduktive për interesin kombëtar të shqiptarëve; kërcënon marrëdhënien e shkëlqyer, partneritetin strategjik të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas zotit Rama, plani i socialistëve për afrimin me Kosovën përfshin fushat konkrete dhe jo retorikën e thatë të kryeministrit: “Ne duam të punojmë bashkë me Kosovën për sigurinë energjetike. E vetmja gjë që bëtë ju ishte sabotimi i linjës së interkonjeksionit. Kjo ka ndodhur për faj të qeverisë tuaj. E vetmja gjë që bëte ishte një abetare dhe ajo me gabime. Ju keni mbetur te “Shabani sharron me sharrë”, ne kemi plana për njehsimin e politikave të arsimit, turizmit, doganave, ligjeve dhe ekonomisë. E vetmja gjë që bëtë ishte lufta me pataten e Kosovës”.
Zoti Rama i bëri thirrje kryeministrit të mos cenojë interesat kombëtare, kur iu drejtua me fjalët “nuk ka nevojë të thuash që je ndryshimi, përvec borxhit marramendës që do lësh mos hap edhe probleme me fqinjët” dhe se “ju nuk keni asnjë plan, përveç retorikës”.
“Mos i përzieni zotëri interesat dhe punët e mëdha të kombit me interesin e vogël të pushtetit tuaj personal dhe me një proces zgjedhor ku as mjafton të thuash “jam ndryshimi” për të provuar se gjërat kanë shkuar për mirë nën qeverisjen tuaj dhe as tepron gjësend nga borxhet që qeveria juaj u ka shqiptarëve, për t’iu lënë në kurriz tani në fund edhe borxhin e një ngatërrese absurde ballkanike”-tha kryetari socialist.
Sipas zotit Rama, kryeministri “kapet pas fantazmës së nacionlizmit primitiv ballkanik”, pasi siç theksoi “ka udhëhequr qeverinë në rrënim, po rrezikon të tjetërsojë edhe rolin e stabilitetit që shqiptarët kanë pasur në rajon”: “Bashkimi Kombëtar, – tha zoti Rama, – nuk mund të bëhet përmes rrugëve dhe mjeteve të së shkuarës. Në rrugëtimin e vetë drejt së ardhmes Shqipëria ka vendosur kaherë me aleatët e saj të mëdhenj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”.
Kryetari Edi Rama tha sakaq se Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme: “Në 23 qershor Partia Demokratike nuk do t’i kalojë të 60 deputetët. Partia Socialiste dhe koalicioni ynë opozitar dhe jo i gjithë spektri opozitar, udhëheqin shumë bindshëm në Tiranë, në Durrës, në Fier e në Vlorë, në Elbasan e në Korçë, në Gjirokastër dhe në berat, ashtu sikundër diferencat janë ngushtuar në Shkodër, në Kukës dhe në Lezhë dhe janë bërë të padallueshme në Dibër”.
Asamblea Kombëtare Socialiste diskutoi edhe për çështje partiake.

Comment

*