Rama: Të përmbyturit s’mund të rrinë te këmba e urave dhe bregu i Lumit

Pasi situata e përmbytjeve  në jug u vendos në kontroll, kryeministri, Edi Rama, vizitoi sot grykëderdhjen e lumit Vjosë në Çevren, ku u evakuuan 3  familje.

Në një vizitë pa prezencën e medies, me video live nga Facebook-u i tij, Rama inspektoi terrenin, duke u dhënë  lëvdata autoriteteve të posaçme dhe personave përkatës për menaxhimin e përmbytjeve në jug.

I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca dhe drejtuesin politik të qarkut të Fierit Taulant Balla, Rama pa nga afër situatën pas pushimit të reshjeve të shiut dhe takoi banorët e zonës.

Siç duket në video të gjithë shprehen të kënaqur nga puna e kryeministrit.

Sa i përket familjeve të përmbytura, 3 në  Çerven dhe 100 në Ferras, Rama  thotë se janë pak familje dhe se nuk mund të rrinë te këmba e urave dhe te bregu i lumit, për këtë arsye duhen zhvenodsur.

“Nuk bëhet për mijëra, bëhet fjalë për shumë pak dhe kaq pak sa janë mund të spostohen duke ndërtuar banesa dhe duke i hequr që aty. Nuk mund të rrihet tek këmbët e urave dhe tek bregu i lumit.”

Niveli i Vjosës ditën e sotme, e hënë 13 dhjetor, ka shkuar në 6.5 metra, duke u ulur me dy metra nga dita e djeshme ku e kaloi nivelin e 8.3 metrave.

Reshjet e shiut këtë të hënë kanë pushuar teksa prurjet nga Memaliaj, Përmet dhe Hekali janë duke u ulur edhe ditën e sotme.

Nuk ka rrezik më për daljen nga shtrati por banesat janë ende nën ujë si dhe tokat bujqësore.

oranews

Comment

*