Rama u kundërpërgjigjet me ashpërsi kritikëve të nismës për amnisti fiskale

Tiranë, 15 korrik 2022 – Në Shqipëri kryeministri Edi Rama reagoi sot me tonë të ashpra ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe vendase që janë shprehur kundër nismës së amnistisë fiskale. Sipas tij, ta kundërshtosh këtë projekt apriori është mungesë ndaj vendit dhe qeverisë së tij, duke shtuar se kjo nuk është as e duhur dhe as e drejtë. Shqetësime ndaj nismës ka shprehur Komisioni europian e po ashtu dhe disa dhoma të sipërmarrjeve të huaja në Shqipëri.

Kryeministri dhe anëtarë të kabinetit të tij qeveritar, zhvilluan sot një takim të parë konsultativ në publik, për projektin e amnistisë fiskale, në prani të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare e selive diplomatike, si dhe të sipërmarrjes vendase e të huaj. Por përpara se të dëgjohej opinioni i tyre, kryeministri i tregoi kufijtë gjithëkujt që ishte shprehur me zë të lartë kundër kësaj nisme.

“T’i vish Shqipërisë dhe t’i thuash ‘Shiko se amnistia është diçka e papranueshme’, kjo është mungesë respekti për Shqipërinë dhe për qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Dhe, si gjithmonë dhe si kurdoherë, të gjithë miqve të shtrenjtë dhe partnerëve tanë, unë dua t’u them: ‘respekti reciprok është A-ja e punës sime në funksion të drejtimit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë’ dhe me respekt mund të bëhet çdo kundërshti, me respekt mund të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht, ndërkohë që amnistia është bërë dhe bëhet në mënyrë të rregullt, pa asnjë polemikë, në të gjitha vendet që ne na japin mësime dhe që ne mësimet i pranojmë me shumë kënaqësi, kjo nuk është as gjëja e drejtë, nuk është gjëja e duhur dhe nuk është as gjëja që çmon respektin, gati-gati pa kushte, që ka Shqipëria ndaj partnerëve të saj”, u shpreh zoti Rama.

Dy javë më parë Komisioni europian foli për shqetësime serioze, duke përmendur pasojat negative në luftën kundër pastrimit të parave, veprimtarisë së administratës tatimore apo dhe për faktin se vendet anëtare e shohin po me shqetësim faktin që shqiptarët që jetojnë në vendet e Bashkimit europian ftohen të dërgojnë në Shqipëri para në dorë. Komisioni madje nënvizoi se kjo përbënte një rrezik thelbësor për reputacionin e vendit.

Ndërsa ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës u larguan sapo kryeministri do të merrte fjalën, shqetësimet e Komisionit u përsëritën dhe sot nga i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Alexis Hupin, duke marrë nga zoti Rama një përgjigje me të njejtat tone si ato të deklaratës hyrëse. Kryeministri i kujtoi atij, po ashtu, se Shqipëria i merr vetë vendimet për shtëpinë e saj. “Jemi në shtëpinë tonë këtu, jemi në vendin tonë. Është një vend ku jeni të mirëpritur si askund tjetër ndoshta. Është një vend ku nuk kemi sekrete, nuk kemi agjenda që janë ndryshe nga partnerët tanë euro-atlantik, por është vendi ynë dhe është mirë që kjo të mbahet përherë mend”, tha kryeministri.

Reagime edhe më të forta zoti Rama pati ndaj përfaqësuesve të bizneseve të huaja, si Dhoma Amerikane e Tregtisë apo Shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë të cilat e kanë kundërshtuar propozimin e qeverisë: “Të çohen dhoma tregtie me flamuj të vendeve partnere dhe të bëjnë fletë rrufe për këtë iniciativë të qeverisë, kjo është vetëm mungesë respekti për sovranitetin, për dinjitetin dhe për të drejtën e Shqipërisë për të pasur ambicien e saj, nuk ka asgjë tjetër sepse institucionet financiare patjetër mund të kenë kundërshtitë e tyre legjitime”.

Madje ndaj tyre zoti Rama shkoi dhe më tej, kur deklaroi se dhe kryetarët e këtyre dhomave kanë kryer transaksione të fshehta: “Hajde ma nxirrni një biznesmen në Shqipëri, një biznesmen në Shqipëri që të çohet dhe të thotë, “nuk duhet amnistia”. Ma nxirrni një kryetar dhome tregtie, që nuk ka bërë një transaksion të fshehtë, një, përfshirë dhe kryetarët e dhomave me flamujt e vendeve partnere. Dhe nuk flas këtu me hipoteza, me fakte!”

Zoti Rama u tregua i prerë kur deklaroi se qeveria ishte e gatshme të debatonte e të pranonte sugjerime, por se në fund, amnistia do të bëhej. Pas fjalës së tij, thuajse të gjithë përfaqësuesit e biznesit të ftuar në takim u shprehën pro aministisë.

Projektligji parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale. Pikëpyetje të forta janë ngritur mbi aftësinë e institucioneve për të parandaluar që nga kjo nismë të mund të përfitojnë anëtarë të rrjeteve kriminale, pavarësisht kufizimeve të përcaktuara. Autoritet kanë përsëritur vazhdimisht se shqiptarët emigrantë, nuk kanë pse të kufizohen të legalizojnë paratë e siguruara qoftë dhe me punë të zezë. Por kryeministri nuk ju përgjigj shqetësimit të ngritur nga një përfaqësues i shoqatës së Bimëve mjekësore i cili sugjeroi të rishikohet niveli prej 2 milionë eurosh, pasi “është e pamundur që një emigrant qoftë dhe në 30 vite, të kursejë një shumë të tillë,e cila do i korrespondonte një kursimi mujor prej me shumë se 5 mijë eurosh”.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)