Rama, Vuçiq e Zaev thërrasin shtetet e rajonit t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”

Tiranë, 18 dhjetor 2021 – Kryeminisitri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përmes një letre publike, u kanë bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkangjiten nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Në letrën e tre liderëve që u publikua të shtunën nga Abcnews.al dhe Gazeta Express thuhet se vizioni i tyre është të tejkalohen pengesat sociale, ekonomike dhe tregtare që e ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit, nëpërmjet zbatimit të katër lirive themelore të BE-së.

“Ne kemi ndasitë tona, nuk biem dakord për disa çështje politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë. Ballkani i Hapur nuk është një çmim ngushëllues në vend të anëtarësimit në BE, por përkundrazi, një hap i madh drejt tij”, thuhet në letrën e hapur të tre liderëve.

“Është koha që të gjitha kombet dhe njerëzit e rajonit të bashkohen për një të ardhme të përbashkët më të mirë. Për një të ardhme që ofron stabilitet, paqe dhe standarde më të larta jetese për të gjithë. Një të ardhme që i tejkalon mosmarrëveshjet e së shkuarës dhe u jep fëmijëve tanë shpresë në vendin ku ata meritojnë të jetojnë”, theksohet në letër.

Rama, Vuçiq dhe Zaev kanë një kërkesë edhe për Bashkimin Evropian. Ata thonë se Brukseli duhet ta mbështesë plotësisht nismën “Ballkani i Hapur” dhe t’i nxisë vendet tjera të rajonit që “ta shndërrojnë gjithëpërfshirjen e nismës nga një nevojë në një vepër”.

Letra e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit vjen dy ditë para takimit të radhës të tyre që mbahet në Tiranë  për të shtyrë përpara nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë deklaruar kundër nismës “Ballkani i Hapur”. Liderët e këtyre vendeve thonë se kjo është nismë paralele me Procesin e Berlinit dhe bie ndesh me aspiratën për integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

Letra e plotë e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit, publikuar nga ABCNEWS.al.

Europa nuk është thjesht një kontinent, por një vizion. Megjithatë, për një kohë të gjatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e kontinentit dhe e këtij vizioni, janë lënë jashtë. Dëshira e popullit tonë për t’u bërë pjesë e familjes së BE është shpërfillur herë pas here për shkak të politikës së brendshme të vendeve anëtare, mungesa e realizimit të premtimeve të bëra si dhe frika nga e ardhmja. Kjo ka sjellë zhgënjim, paqëndrueshmëri, emigracion dhe mungesë investimesh të mëdha.

Ne,si udhëheqës të vendeve tona mund të vendosim të vendosim të rrimë e të qahemi apo të veprojmë.Ne zgjodhëm këtë të fundit. Në nëntor 2019, nënshkruam një marrëveshje paraprake për të çuar përpara të ashtuquajturin Procesi i Berlinit duke marrë përsipër një bashkëpunim më të thellë rajonal.

Vizioni ynë është të tejkalojmë pengesat sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit tonë nëpërmjet zbatimit të katër lirive  themelore të BE-së në vendet tona.

Që atëherë ne jemi takuar sistematikisht dhe kemi nënshkruar marrëveshje që u mundësojnë qytetarëve tanë të punojnë lirisht në vendin fqinj; që reduktojnë kontrollet kufitare të cilat do të lejojnë kalimin e mallrave pothuajse pa vonesë; themelojnë mekanizma për udhëtimin e lirë të qytetarëve tanë ndërmjet vendeve tona – ashtu siç udhëtojnë qytetarët e BE-së mes tyre. Nisma jonë, e pagëzuar si “Ballkani i Hapur”, ka treguar efikasitet dhe dobishmëri edhe ne kohët e vështira të pandemisë.

Edhe pse nisma e Ballkanit të Hapur përfshin deri tani vetëm Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo ka qënë dhe do të jetë e hapur për të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor. Shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ftojmë edhe një herë të gjithë fqinjët tanë të bashkohen për t’u ofruar qytetarëve të tyre dobitë që ne u ofrojmë qytetarëve tanë.

Nëpërmjet lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, bashkëpunimi ynë mund të nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike për ta bërë jetën më të lehtë për gjithsecilin prej nesh.

Të akuzuar shpesh si “fuçia e barutit” e Europës, ne si udhëheqës përgjegjës nuk mund të lejojmë që rajoni ynë të kthehet përsëri në makthet e së kaluarës, ndërkohë që BE-ja nuk është në gjendje të bëjë më shumë për zgjerimin në këtë faze që është.

Ne kemi ndasitë tona, nuk biem dakord për disa çështje politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë.

Ballkani i Hapur nuk është një çmim ngushëllues në vend të anëtarësimit në BE, por përkundrazi, një hap i madh drejt tij. Ashtu si Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut parapriu lindjen e Bashkimit Europian pas Luftës së Dytë Botërore, edhe “Ballkani i Hapur” do të mbahet mend si momenti që i afroi kombet tona më pranë Bashkimit Europian dhe drejt anëtarësimit të plotë në bllokun më të madh tregtar në botë.

Disa liderë europianë dhe administrata amerikane kanë shprehur tashmë mbështetjen e tyre dhe ne i falënderojmë ata për këtë.  Gjithashtu sipërmarrës, fermerë, studentë nga i gjithë Ballkani Perëndimor shprehën mbështetjen e tyre gjithashtu. Ata janë një frymëzimi ynë.

Tani e gjithë BE-ja duhet të bashkohet e të mbështesë plotësisht Ballkanin e hapur dhe të nxisë fqinjët e tjerë që ta shndërrojnë gjithëpërfshirjen e nismës sonë nga një nevojë në një vepër. Është koha që të gjithë kombet dhe njerëzit e rajonit të bashkohen për një të ardhme të përbashkët më të mirë.

Për një të ardhme që ofron stabilitet, paqe dhe standarde më të larta jetese për të gjithë. Një të ardhme që i tejkalon mosmarrëveshjet e së shkuarës dhe u jep fëmijëve tanë shpresë në vendin ku ata meritojnë të jetojnë.

Zoran Zaev

Edi Rama

Aleksandar Vuçiq

(r.m.)