Rama, Vuçiqi e Zaevi paralajmërojnë riemërtimin e “Mini-Shengenit”

Shkup, 28 korrik 2021 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar të mërkurën nëmbrëmje në Shkup  për të shtyrë përpara nismën për themelimin e “Mini-Shëngenit” ballkanik.

Që të tre përkrahësit e nismës së ideuar më së pari nga Vuçiqi kanë paralajmëruar se prej nesër kjo nismë do të ketë emër tjetër, për shkak se emërtimi “Mini-shengen “ është kontestuar nga Bosna e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Por, Rama ka thënë se, megjithatë, ndërrimi i emrit nuk do të thotë se  vendet që nuk duan të përfshihen në këtë nismë  do të ndërrojnë qëndrimin.

“Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e Bashkimit Evropian, pra korniza e katër lirive të Bashkimit Evropian:  lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri, është menduar që të ketë një emër tjetër, thjesht si nismë. Unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prapë me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, ka thënë Rama për Top-Channel.

Zaev, Vuçiq e Rama do ta publikojnë emërtimin e ri të “Mini-Shengenit” në Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, që do të mbahet në Shkup. Në këtë forumdo të mungojnë kryeministrat e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnës e Hercegovinës.

Kryeministri shqiptar është pyetur edhe për mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen se si do të ndihet nesër kur Kurti nuk do të jetë i pranishëm. 

“Nuk kam koment për këtë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ideatori i krijimit të “Mini-Shengenit” ballkanik, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar nismën rajonale “hap i madh për të ardhmen”.

“Ky është një hap i madh për të ardhmen. Bashkëpunimi politik dhe mes njerëzve sjell stabilitet dhe shumë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e rajonit”, ka shkuar ai në rrjetet sociale.

Sipas tij, ai, Zaev e Rama kanë plane për një “axhendë jeshile” si edhe ide të qarta që, përmes tregut të përbashkët, të bëhet industrializimi i të tria vendeve që do të tërheqë më shumë investitorë të huaj.

Kryeministri Zaev ka thënë se në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që do të mbahet të enjten në Shkup, në të cilin do të marrin pjesë mbi 300 kompani nga të tri vendet, do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal.

“Shikimi ynë është përpara, për një të nesërme më të mirë, për zhvillim dhe rritje ekonomike dhe mirëqenie për popujt tanë”, ka shkruar Zaev në Facebook.

Zaev, bashkë me mysafirët e tij, kanë pirë bashkëkafe në një local në qendër të Shkupit dhe kanë bërë një shetitje bregut të lumit Vardar.

(r.m.)

Comment

*