Ramosaj: Ka dyshime që helmimi i ujit në Deçan mund të jetë i qëllimshëm

Prishtinë, 12 korrik 2021 – Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se kjo është hera e dytë gjatë muajit që në këtë komunë paraqiten raste të helmimit nga uji i pijshëm dhe kjo ka shkaktuar dyshime se kjo mund të jetë vepër e qëllimshme. Megjithatë, ai ka theksuar se kjo gjë duhet të vërtetohet nga organet kompetente.

“Është hera e dytë brenda muajit që ka helmime dhe ka dyshime se mund të jetë edhe e qëllimshme, por këtë duhet ta vërtetojnë organet kompetente’’, ka thënë ai.

Ramosaj ka treguar  se fillimisht është dyshuar se bëhet fjalë për ndonjë epidemi sezonale, por me shtimin e numrit të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë shfaqur dyshime se burim i infeksionit është uji.

Ai ka thënë se institucionet kompetente i kanë marrë të gjitha masat për të gjetur shkaktarin e helmimit.

“Kemi ftuar Prokurorinë, Policinë, Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, Kompaninë Rajonale të Ujësjrellësit ‘Hidrodrini’ për të hetuar situatën e krijuar. Deri më tash, rezultatet e para kanë treguar se uji ka qenë i pastër kimikisht, por duhet pritur edhe analizat biologjike nga laboratori, që pritet të vijnë kah mbrëmja dhe më pas duhet bërë një ekspertizë shtesë për të qenë të saktë 100 për qind se çfarë ka ndodhur. Përkushtimi ynë dhe i kolegëve do të jetë deri në gjetjen e shkakut që ka sjellë këtë helmim, le të themi. Do të bëhen të gjitha analizat e këtyre pacientëve. Laboratori do ta japë përgjigjen e saktë”, është shprehur Ramosaj.

Ai ka thënë në rast se vërtetohet se burim i helmimit ka qenë uji, atëherë do të merren masa ligjore dhe administrative ndaj kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini”.

Ramosaj ka thënë se në dhjetë fshatrat që furnizohen me ujë nga i njëjti gyp i ujësjellësit nuk do të përdoret nga qytetarët deri në përfundimin e të gjitha analizave.

(r.m.)

One Response to “Ramosaj: Ka dyshime që helmimi i ujit në Deçan mund të jetë i qëllimshëm”

Read below or add a comment...

  1. Sejdi Veseli says:

    Kjo çfarë po ndodhë në Deçan e rrethinë, është për t’u brengosur.
    Nuk është hera e parë që ndodhin helmime të ngjashme në Kosovë. Kam bindjen, se është bërë gabim nga autoritetet që nuk është kërkuar ndihmë nga laboratori toksikologjik i KFOR-it.
    Sa më kujtohet, në njoftimet për opinion, nuk janë publikuar rezultatet nga hulumtimet laboratorike toksikologjike.
    Mjerisht, ne shqiptarët, kemi harruar shumë shpejt, se nuk është bërë neutralizimi i mjeteve toksike të policisë dhe të ushtrisë serbe, shumica prej të cilave janë të prodhuara dhe vazhdojnë të prodhohen në industrinë kimike “Zhupa” në Krushevc dhe simotrat e saj në Serbi.
    Unë nuk e përjashtojë mundësinë që edhe ky helmim e ka burimin tek sebo-çetnikët!