Raporti i DASH-it shpërfaq mungesën e vullnetit politik për luftimin e krimit dhe korrupsionin

Prishtinë, 31 mars 2021 – Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi mendon se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën i shpërfaq problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, por edhe mungesën e vullnetit politik për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Miftaraj ka thënë se raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit si edhe  ato të institucioneve të Bashkimit Evropian nuk janë marrë seriozisht nga qeveria gjatë vitit të kaluar. Sipas tij këto raporte duket se nuk po merren seriozisht as nga qeveria aktuale e Kosovës.

“(Raporti i DASH) shpërfaq edhe një herë problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova. Po ashtu, shpërfaq mungesën e vullnetit politik gjatë vitit 2020 për të adresuar çështjet të cilat do të ndikonin në përmirësimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit apo promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Këto raporte, të cilat e pasqyrojnë këtë realitet, nuk është se janë marrë dhe as s’po shihet se do të merren seriozisht, as nga qeveria aktuale“, ka thënë Myftaraj për Ekonomia Online.

Myftaraj ka thënë se Qeverisë Kurti I takon ta ndryshojë qasjen, përndryshe edhe raporti për vitin 2021 do të jetë i njëjtë.

“Nëse s’do të ketë reflektim nga ana e kësaj qeverie dhe kësaj legjislature, sigurisht që edhe raporti për vitin 2021 që do të publikohet vitin e ardhshëm do ta ketë pothuajse të njëjtën përmbajtje, përsa i përket vullnetit politik. Do të varet nga Qeveria Kurti nëse do ta ndërrojë qasjen apo do të vazhdojë me qasjen që kanë pasur qeveritë e kaluara”, ka thënë Myftaraj.

Një ndër pikat më kritike të raportit të DASH-it është numri i madh i zyrtarëve të lartë publikë të akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Në raport përmenden edhe shuarja e Task Forcës Anti-Korrupsion që vepronte në kuadrin e Policisë së Kosovës dhe rasti i arrestimit të kryetarit të Istogut, Haki Rugova. Po ashtu, përmendet deklarata e ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa i cili arrestimin e Rugovës e kishte cilësuar si akt të motivuar politikisht.

(r.m.)