Rasti i parë me Flurona regjistrohet në Kërçovë, te një 26 vjeçar i ardhur nga SHBA

Shkup, 5 janar 2022 – Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rasti i parë i një qytetari i infektuar Flurona, infeksionin e njëkohshëm me COVID-19 dhe me grip sezonal.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se rasti është zbuluar në Kërçovë, në një klinikë private, tek një 26 vjeçar që kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 31 dhjetor.

“Bazuar në anketën epidemiologjike, personi në fjalë ishte i vaksinuar me dy doza të vaksinave. Pas detektimit të infektimit pacienti ndodhet në shtëpinë e tij për trajtim mjekësor në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Rasti i parë i infeksionit me COVID-19 dhe me grip sezonal në të njëjtën kohë u regjistruar në Izrael. Virusologët dhe epidemiologët janë duke bërë hulumtime për simptomat, manifestimet dhe trajtimin e Fluronës.

Të mërkurën, më 5 janar, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1,375 raste të reja me koronavirus, prej të cilave nëntë raste me variantin Omicron.

Katër persona e kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit  gjatë 24 orëve të fundit.

(r.m.)

Comment

*