Rasti “Tafili”: Ministrja Gjonaj kërkoi hetim disiplinor që në 2017 për gjyqtaren e skandaleve

Gjykata e Apelit ka kërkuar kthimin në qeli të Genc Tafilit, autorit të vrasjes së komisar Arben Zylyftarit në 2000. Kjo sepse lirimi i tij me kusht në 2017 është bërë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila ndodhet në arrest në burg për akuzën e korrupsionit.

Genc Tafili, vëllai i Admir Tafilit, të dy emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare, të akuzuar dhe dënuar për disa vepra penale u lirua më 7 nëntor të 2017 nga gjyqtarja Enkeleda Hoxha, pasi kreu 17 vite burg.

Genc Tafili me vëllanë, Admir Tafilin akuzohen dhe u dënuan për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftarit. Genc Tafili kreu 17 vite burg nga 25 që u dënua për vrasjen e Arben Zylyftarit në vitin 2000 gjatë një shkëmbimi zjarri, ku humbi jetën edhe babai i vëllezërve Tafili, Bahri Tafili.

HISTORIA

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar që 4 vite më parë, procedim disiplinor për gjyqtaren Enkelejda Hoxha, por kërkesa e saj nuk është marrë parasysh nga KLD-ja e atëhershme.

Asokohe, ministrja e Drejtësisë argumentonte se për veprën penale për të cilën ishte dënuar Tafili, ligji nuk lejonte lirimin me kusht.

“Rezulton se vepra penale e parashikuar nga neni 79/c, për kryerjen e të cilës është dënuar me vendim të formës së prerë shtetasi Genci Tafili, është një nga veprat penale për të cilat nuk lejohet lirimi me kusht, pra është kriter ndalues për aplikimin e nenit 64 të K. Penal, për rastin në fjalë.

Sa më sipër, Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të dispozitave urdhëruese lidhur me mënyrën e disponimit nga ana e gjyqtares Enkeleida Hoxha.

Në zbatim të nenit 140 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 71/2 të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenit 4, pika 10 e ligjit 40/2017 “Për disa ndryshime ne ligjin 8678/2001,”Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, dhe nenit 160/5 të ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares që ka dhënë vendimin e sipërcituar”, thuhet në dokumentin përkatës.

Por, KLD-ja e atëhershme ka vendosur të mbrojë gjyqtaren Hoxha.

Ish-Inspektorati i KLD-së me vendimin nr.3416/10 prot., datë 06.06.2018 ka vendosur: Pezullimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë Enkeleida Hoxha, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata e Apelit Tiranë për vendimin gjyqësor objekt inspektimi, për të konkluduar më pas në lidhje me hetimin disiplinor të iniciuar për këtë rast. Pezullimi hetimit disiplinor ndërpreu afatet e procedimit të parashikuara nga neni 118 i Ligjit nr.96/2016.

Pavarësisht kërkesës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj duket se lobi kundër reformës në drejtësi ka vendosur ta mbrojë kolegen gjyqtare. 

Megjithatë, Gjonaj nuk është ndalur me kaq. Ministria e Drejtësisë,  për periudhën shtator 2017- 2020,  ka përcjellë pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 2 kërkesa për fillimin e hetimit disiplinor dhe 4 kërkesa për verifikim ankese ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha, gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Në datë 08.01.2018 i është përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesa për fillimin e hetimit disiplinor ndaj vendimmarrjes së gjyqtares Enkeleida Hoxha për lirimin me kusht të të dënuarit Genc Tafili.

Në mars 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha, e cila akuzohet se ka shkelur detyrën në lirimin e disa të dënuarve. Ajo u akuzua për korrupsion dhe se kishte liruar ose ulur dënimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Nëse do ishin marrë parasysh kërkesat e ministres së Drejtësisë për të hedhur dritë mbi veprimtarinë e Hoxhës, ndoshta disa prej të dënuarve përjetë nuk do të ishin në liri.

Comment

*