Reeker në Ohër: Procesi i integrimit evropian të ecë përpara

Ohër, 2 korrik 2021 – Në Ohër të Maqedonisë së Veriut vazhdoi të premten konferenca ndërkombëtare “Prespa Forum”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shteteve nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Në ditën e dytë të këtij forumi po merr pjesë edhe ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Diplomati i lartë amerikan u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin bisedoi për “forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim të kabinetit të presidentit maqedonas.

“Anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani dhe të mundësojë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vend”, tha Pendarovski në takimin me diplomatin amerikan, Philip Reeker.

Reeker, në anën tjetër, tha se beson se Maqedonia e Veriut së shpejti do t’i nisë bisedimet e anëtarësimit në BE, ndërsa Marrëveshjen e Prespës tha se e sheh si shembull se si përmes dialogut mund të zgjidhen çështjet e hapura mes shteteve.

“Maqedonia e Veriut është në rrugën për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë. Ne ia kemi bërë të qartë Qeverisë bullgare, si dhe një numri të anëtarëve të BE-së se ky proces duhet të ecë përpara… Por, ne kemi besim se kjo do të ndodhë. Diplomacia mund të sjellë një ndryshim të madh, duke ndihmuar vendet të gjejnë mënyra për t’i zgjidhur problemet dhe për të bërë përparim”, tha Reeker.

“Shikoni se çfarë do të thotë Marrëveshja e Prespës, në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe më gjerë me marrëdhëniet në rajon. Për këtë po flet edhe presidenti [i SHBA-së, Joe] Biden, kur thotë se duhet të përqendrohemi në përdorimin e institucioneve dhe të diplomacisë për të bërë përparim. Ka sfida të mëdha në botë dhe askush nga ne, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’i zgjidhë ato vetë. Ne duhet t’i zgjidhim me miqtë, partnerët dhe aleatët”, tha Reeker për mediat në Ohër.

(REL)

Comment

*