Ruben Avxhiu: Referendum kombëtar apo efekt fushate

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Aleanca Kuq e Zi paraqiti këtë javë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për një referendum për bashkimin kombëtar.

KQZ ka fuqinë që të autorizojë fillimin e firmave të nevojshme për shpalljen e këtij referendum.
Bashkimi kombëtar ka qenë gjithmonë në zemrat e shqiptarëve që prej kohës kur fuqitë e mëdha vendosën në mënyrë arbitrare që të ndajnë tokat e banuara nga bashkëkombasit tanë duke ua dhuruar disa prej tyre vendeve fqinje. Sot ato janë pjesë e pesë shteteve të tjera duke përfshirë edhe Kosovën.
Bashkimi I shqiptarëve në një shtet të vetëm do të kishte qenë I rëndësishëm në vitin 1913 se do të kishte shpëtuar miliona shqiptarë nga vuajtjet dhe persekutimi gati njëshekullor në regjime të njëpasnjëshme të fqinjëve tanë që burgosën, vranë, diskriminuan, dëbuan dhe asimiluan me sa mundën popullsinë shqiptare.
Çmimi që do të kishin paguar për këtë shpëtim do të kishte qenë jeta për gati gjysëm shekulli në regjimin e Enver Hoxhës. Ata që jetuan jashtë Shqipërisë mendojnë se do të ishte një shkëmbim I pranueshëm. Shumë nga ata që jetuan në Shqipëri mendojnë se u doli ëm mirë atyre që mbetën jashtë. Po kjo është çështje tjetër.
Sot, kur bashkimi është më pak I domosdoshëm por akoma edhe më shumë I kërkuar nga shqiptarët, ai nuk është vënë kurrë në ndonjë plan konkret. Bashkimi është parë gjithnjë si diçka që I përket të ardhmes. Kjo kërkesë e Aleancës Kuq e Zi duket se është përpjekja e parë për të bërë një hap politik zyrtar e haptas në drejtim të bashkimit.
Vetë Aleanca Kuq e Zi ka një meritë për rritjen e patriotizmit dikur krejt të fashitur në shtetin e Shqipërisë. Po ndoshta mund të ketë qenë edhe e kundërta që rritja e ndjenjës patriotike solli kushtet për krijimin e një partie si AKZ-ja. Po ajo që është e sigurtë është se prania e saj ka sjellë një rritje të retorikës patriotike në vend, sidomos nga Partia Demokratike në fuqi, në kërkim të votuesit patriotik siç duket në rritje.
Problemi me garën e patriotizmit është si gjithmonë I njëjti. Pas një ngjitje në shërbim të kombit, ka gjithmonë një moment kur rrezikohet kalimi I nivelit të lejuar dhe rrokullisja në ekstremizëm e mbithjeshtëzim të problemeve. Njeriu është qënie komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm në përmasën e vet kombëtare. As nuk mund të injorohen demokracia, mirëqënia ekonomike, toleranca e pakicave, identitetet e tjera kulturore, e drejta për refuzim dhe mospranim të moralit mazhoritar etj në emër të patriotizmit. Kjo ka ndodhur më parë jo vetëm në botë, me regjimin famëkeq nazist, por edhe vetëm pak kilometra në veri të vendit tonë, në Serbinë e Millosheviçit. Patriotizmi shqiptar duhet të jetë I shëndetshëm dhe t’I shërbejë kombit e jo një elite të vetëshpallur si zëdhënëse të tij.
Në këtë kuadër AKZ, PD dhe partitë e tjera do të testohen nga historia në muajt dhe vitet që vijojnë. Sprova e parë do të jenë zgjedhjet e ardhshme.
Nga ky kontekst nuk shpëton dot as nisma për referendum. A është ajo vërtet një hap pozitiv në drejtim të bashkimit kombëtar? A është ajo një shprehje e vullnetit të popullit? Apo është thjesht një truk parazgjedhor, për të mos e lejuar PD-në dhe Sali Berishën që t’ua marrë flamurin e patriotizmit kuqezinjve të Kreshnik Spahiut?
Bashkimi kombëtar, qoftë edhe i pjessshëm në formën e një federate që bashkon Shqipërinë dhe Kosovën do të ishte një projekt gjigand që nuk mund të fillojë thjesht me nismën e një partie, pesha e të cilës në popull ende nuk dihet. (AKZ është parti e re dhe merr pjesë në zgjedhje për herë të parë.) Edhe sikur AKZ të fitojë në zgjedhjet e 23 qershorit, një perspektivë gati e pamundur, vështirë se ajo do të mund të marrë votat e dy të tretës së shqiptarëve për të ndërmarrë pa u këshilluar me partitë e tjera një referendukm të tillë.
Nëse AKZ është serioze për këtë nismë, ajo duhet të ftojë në bisedime të gjitha partitë kryesore në Shqipëri dhe Kosovë. Bashkimi në një federatë nuk mund të bëhet vetëm nga pala e Shqipërisë. Ajo duhet të zhvillojë bisedime edhe me partitë e shqiptarëve në trojet që do të mbeten jashtë kësaj federate.
Ajo duhet të kontaktojë edhe zyrtarët e vendeve fqinje sepse rajoni ka kohë që është integruar jashtëzakonisht dhe asnjë vend i tij nuk mund të ndërmarrë projekte kaq të rëndësishme pa u këshilluar me fqinjët. Kosova ka një situatë jonormale. Ajo është një shtet që ende nuk njihet e pranohet tërësisht në komunitetin ndërkombëtar. A është ajo në gjendje të marrë në mënyrë të pavarur vendime për federatë, sepse ende nuk është anëtare me të drejta të plota si shtetet e tjera?
Kosova ekziston sot edhe në sajë të një energjie të jashtëzakonshme diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të shpenzuar nga aleate të Shqipërisë në Perëndim. Këto vende kanë shpenzuar miliarda të taksapaguesve të tyre, kanë rrezikuar jetën e djemve dhe vajzave të tyre dhe kanë hyrë në konflikte me disa shtete të tjera përfshi edhe një fuqi si Rusia, për hir të pavarësisë së Kosovës.
Është e paimagjinueshme që Kosova të hidhet në krahët e nismës së AKZ-së pa një këshillim me të gjithë këta partnerë ndërkombëtarë të cilëve u detyrohet shumë.
Këto janë vetëm vetëm disa nga pikëpyetjet që qendrojnë mbi këtë nismë e që nuk duket se janë konsideruar shumë nga ana e AKZ-së. Kam dëshirën të besoj se qëllimi I nismëtarëve ka qenë vetëm e mira e kombit shqiptar, por koha dhe mënyra e propozimit lë shumë vend për dyshime.
E bërë në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ajo rrezikon të shihet thjesht si një truk elektoral. Për më tepër faktorët shqiptarë nuk do të kenë kohën dhe qetësinë e mjaftueshme për ta shqyrtuar nismën në kushtet e përplasjes së fushatës. Këshillimet rrezikojnë të përfundojnë në një garë qesharake marrje pozash në publik. Shqiptarët kanë pritur gjatë për një lloj bashkimi, po pikërisht se kanë pritur gjatë, ata nuk meritojnë të marren zvarrë me nxitim në një veprim të pamenduar mirë që mund të vëjë në rrezik arritjet e mëdha historike të dy dekadave të fundit.