Reforma për emigracionin bëri mbrëmë një hap gjigand në Senat

Me aprovimin të hënën të një amendamenti të mbështetur nga të dy partitë e mëdha amerikane që premton një “përforcim” të sigurisë në kufi, Senati hodhi një hap gjigand drejt aprovimit të projekt-ligjit të emigracionit .
Votimi, me 67 vota pro dhe 27 vota kundër, krijon mundësinë që të paktën 12 Republikanë në Senat, të bashkohen me Demokratët që të sigurohet aprovimi përfundimtar në shkallë të gjerë të projektligjit përpara mbarimit të kësaj jave. Një e treta e Republikanëve në Senat (15 vetë) votuan dje në favor të kësaj mase sigurie.
Ky amendament me bazë kompromisin i dha fund gjendjes vendnumëro të çështjes së emigracionit në Senat – duke gjetur më në fund një rrugë të mesme mes kërkesave të Republikanëve për masa sigurie më të rrepta në kufi dhe kërkesave të Demokratëve që shtegu drejt dhënies së qytetarisë atyre që kanë qendruar ilegalisht në vend të mos vonohet në mëyrë të papërcaktuar. Kompromisi në fjalë bëri që një numër Republikanësh të ndërpresin kundërshtimin e tyre si dhe forcoi mbështetjen nga Demokratët me prirje konservatore.
Përveç theksit që iu vu çështjes së masave të sigurisë në kufi, amandamenti pati rëndësi, sepse bëri të mundur futjen e amandamenteve nga senatorët Susan Collins (R) nga Maine dhe Bernie Sanders (I) i Vermontit gjë që mund t’i sjellë një mbështetje akoma më të madhe projektligjit përfundimtar. E ky proces nuk ka mbaruar ende. Diskutimet mes Senatorëve Corker, Hoeven dhe “Bandës së të tetëve” ka hedhur bazat për amendamente dhe nga senatorë të tjerë – si Senatori Rob Portman (R) i Ohio-s – gjë që mund ta bëjë projektligjin edhe më të pëlqyeshëm.
Pikat më kyçe që parashikohen në këtë amendament përfshijnë sa më poshtë:
– Më shumë se 19,000 trupa të reja deri në 2019-n, duke thuajse dyfishuar numrin e patrullës kufitare si dhe përveç kësaj një shtesë prej më shumë se 3,500 kontrollorësh në pikat doganore deri në 2017-n.
– Ndërtimin e një gardhi prej gati 700 miljesh përgjatë kufirit më Meksikën, më i gjatë pra se ai prej 350 miljesh i parashikuar në legjislacionin fillestar.
– Materiale specifike të sigurisë në kufi në çdo seksion të kufirit, si p.sh. sisteme të survejimit me video pranë Tucson-it apo një numër sensorësh tokësorë të futur nën tokë pranë San Diegos.
Këto amendamente nuk u kanë shpëtuar dot kritikës si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Liberalët i quajnë masa ekstreme dhe komike që do të çojnë nga një patrullë në çdo pëllëmbë të kufirit me Meksikën. Ndërsa grupet anti-emigracion kanë thënë që amendamentet e propozuara janë vetëm premtime të reja që do të mbeten të papërmbushura.
Pavarësisht nga këto kritika, amendamentet i hapin rrugën aprovimit në Senat dhe kalimin e ligjit në muajin korrik në Dhomën e Përfaqësuesve.
Zhvillimet po ndiqen me vëmendje nga miliona emigrantë pa dokumente në vend, ku përfshihen edhe mijëra shqiptaro-amerikanë.
(Përgatiti: Viktoria Paloka)